2016-10-14 16:12:00

"Takimet e Gjeçovit 2016" më 15 tetor në Zym


Më 15 tetor, në Zym të Hasit, mbahen manifestimi i përvitshëm kulturor i njohur si"Takimet e Gjeçovit 2016". Ja njoftimi i Nikollë Kërhanajt nga fshati Zym:

TË BASHKUAR NË KUJTIM TË GJEÇOVIT

Në muajin e përgatitjeve për shënimin e 45-vjetorit të manifestimit letrar, kulturor e shkencor "Takimet e Gjeçovit 2016" që sivjet mbahet më 15 tetor (ditë e shtunë) kujtojmë 142-vjetorin e lindjes dhe 87-vjetorin e vrasjes së françeskanit të madh shqiptar, Atë Shtjefën Gjeçovit, nga dora katile, më 14 tetor 1929. 
Të kujtojmë se françeskani e studiuesi i jashtëzakonshëm atë Gjeçovi ka lindur dhe është rritur në gjirin e popullit, me vegjëlinë e popullit, e, jo me qeveritë e pushteteve në kalim duke rrëshqitur si në akull, gjithnjë duke e ndjekur deri në vrasje në tradhti e pritë
Atë Shtjefën Gjeçovin e ka mbrojtur populli e jo pushtetarët që ndërroheshin si figurat në shah. Populli e ka ruajtur emrin dhe veprat e tij, duke i aplikuar e zbatuar në jetë. Kështu, Gjeçovi nga populli është rritur e ngritur në martir të kombit. Kanuni i mbledhur e kodifikuar nga françeskani atë Gjeçovi u ruajt dhe u zbatua në jetë nga populli. Andaj, tani në manifestim marrin pjesë qytetarë e pushtetarë, sepse kaluan kohët e katilave që ishin për Gjeçovin, Fishtën e të tjerë që ndiqeshin e anatemoheshin deri në fundshekullin XX-të.
Tani, të gjithë të bashkuar në kujtim të Gjeçovit në fshatin Zym të Hasit!
12 tetor 2016 - Nikollë Kërhanaj








All the contents on this site are copyrighted ©.