2016-10-14 14:51:00

Papa: për të zhdukur urinë, t’u bëjmë ballë ndryshimeve të klimës


Marrëveshja e Parisit për klimën të mos mbetet në nivelin e “fjalëve të bukura”. Kështu shkruan Papa Françesku në Mesazhin për Ditën Botërore të Ushqimit, që do të kremtohet të dielën, më 16 tetor, por që sot FAO (Organizata Botërore e Ushqimit dhe e Bujqësisë) e kujton me disa nisma. Ati i Shenjtë bën thirrje të re për luftë kundër urisë dhe e vë theksin në emergjencën e shkaktuar në shumë zona të planetit nga ndryshimet e klimës.

Duhet vepruar politikisht, duhet ndryshuar mënyra e jetesës dhe duhet promovuar solidariteti. Sipas Papës Françesku, Marrëveshja e Parisit duhet të shndërrohet “në vendime të guximshme, të afta ta bëjnë solidaritetin jo vetëm virtyt, por edhe model që vepron në ekonomi e, ta konsiderojnë vëllazërimin jo më një aspiratë, por një kriter për qeverisjen kombëtare e ndërkombëtare”.

“Jo” logjikës së prodhimit bujqësor me çdo kusht

Papa Françesku nënvizon se duhen analizuar në rrënjë shkaqet e ndryshimeve të klimës, të cilat, nganjëherë, e kanë keqësuar dramatikisht jetën e njerëzve. Ati i Shenjtë denoncon në veçanti, logjikën e konsumit dhe të prodhimit me çdo kusht, e cila vë në rrezik llojet e ndryshme të bimëve e të kafshëve. Të prodhosh varietete, që japin rezultate të mira në laborator, “mund të ketë avantazhe për dikë, por efekte shkatërruese për dikë tjetër”, nënvizon. Edhe në përzgjedhjen gjenetike të farave, thekson Papa, duhen pasur parasysh terrenet dhe aftësia e tyre prodhuese. Fara që shkon për një lloj toke mund të mos vlejë për një tokë tjetër, ose për kushte të tjera atmosferike. Nevojitet urti dhe ndershmëri, jo vetëm kujdes paraprak.

Emigrantët e klimës shtohen

Ndryshimet e klimës, shton Ati i Shenjtë, i shtojnë emigrantët, të cilët nuk kanë nevojë që njerëzit të impresionohen e të mallëngjehen me gjendjen e tyre, por kërkojnë, me të drejtë, të sigurohet ushqimi për të gjithë dhe shpërndarja e barabartë e pasurive. Nuk mund të ecim në këtë rrugë, denoncon Papa Françesku, nëse tregu lëviz vetëm me logjikën e fitimit. Gjithashtu, vë në dukje nevojën për të eliminuar shpërdorimin e ushqimeve dhe për të reduktuar humbjet ushqimore.

Duhet të ndryshojmë udhë

Njeriu, shkruan Ati i Shenjtë, nuk mund të jetë mjet eksperimentimi, prandaj prodhimi ushqimor nuk është thjesht punë ekonomie. Që këndej, thirrja e Papës për të gjithë politikanët, por edhe për prodhuesit dhe punonjësit e bujqësisë, që të bashkëpunojnë për një zhvillim jo për pak vetë, pasi të mirat e krijuara nga Zoti nuk mund të jenë vetëm pasuri e të pushtetshmëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.