2016-10-14 18:50:00

Papa papritmas shkoi për vizitë në Fshatin SOS të fëmijëve të Romës


Sot pasdite Papa Françesku, në kuadrin e “të Premteve të Mëshirës”, shkoi në zonën e Boçeas, pranë Fshatit SOS të Romës, një shtëpi-familje ku, me sinjalizimin e Shërbimeve Shoqërore e të gjykatës, strehohen fëmijë në kushte varfërie personale, familjare e shoqërore.

Fshati përbëhet nga pesë shtëpi, me nga gjashtë fëmijë, vajza e djem deri në moshën 12 vjeç, me një përgjegjëse, Nëna SOS. Këtu fëmijët rriten  si në familje, për t’u radhitur, pastaj, në shoqëri. Nga kjo shtëpi, shkojnë në shkollë, ndjekin jetën e famullisë e merren me sport. Kujtojmë se fshati  SOS u ngrit sipas modelit pedagogjik dhe organizativ të fshatit të parë SOS, themeluar në Austri, në vitin 1949. Drejtuesit e fshatit patën mundësi t’i tregojnë Papës historinë e Hermann Gmeiner, student austriak, që studionte në fakultetin e mjekësisë e që, i prekur thellë nga qindra fëmijë mbetur pa prindër pas luftës, hapi, në Austri, fshatin e parë SOS, duke u krijuar të vegjëlve kushtet e jetës në familje. Ishin të vegjlit, që e shoqëruan Papën në mjediset e fshatit, në zonën sportive si dhe edhe në dhomat e tyre, duke i treguar edhe lojrat.

Pas vizitës, Papa shkoi të vizitonte kardinalin Andrea Cordero Lanza di Montezemolo, i shtruar në Shtëpinë e mjekimit “Villa Betania”, për t’u rikthyer, rreth orës 17.30, në Vatikan. 








All the contents on this site are copyrighted ©.