2016-10-14 12:23:00

Françesku: të thuash gjithnjë të vërtetën, për të mos rënë në hipokrizi


“Për të ndjekur Zotin, është themelore të mos gënjesh, të mos  flasësh fjalë të pavërteta e kështu të mos biesh në hipokrizi, në këtë skizofreni shpirtërore, që të bën të thuash shumë gjëra, por pa i vënë kurrë në jetë”:  këto, fjalët e theksuara nga Papa në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan.

Tharmi i mirë e tharmi i keq: petullat e gjyshes

Në Ungjillin e ditës, Jezusi na fton të ruhemi  nga ‘tharmi i farizenjve’, domethënë nga hipokrizia. Papa vëren se ka një tharm të mirë, por edhe një të keq. Tharmi, që e bën të rritet Mbretërinë e Zotit, dhe tharmi që e bën të dukshme vetëm sa për sy e faqe. Tharmi - vijoi Papa - mbrun dhe rrit gjithnjë; rrit kur është i mirë, në mënyrë konkrete, e bëhet bukë e mirë, brumë i mirë, i ardhur mirë. Ndërsa me tharm të keq, brumi nuk rritet mirë. Për ta shpjeguar më qartë, Françesku tregoi një anekdotë të fëmijërisë:

“Më kujtohet sesi, për karnavale, kur ishim fëmijë, gjyshja na bënte petulla, me brumë shumë të hollë, të hollë. Pastaj i hidhte në vaj e ky brumë fryhej e fryhej… e kur fillonim t’i hanim, përmbrenda ishin bosh. E gjyshja na thoshte - në dialekt quhen bugie,  gënjeshtra - këta janë krejt si rrenat, duken të mëdha, por nuk kanë asgjë përbrënda, s’kanë asgjë të vërtetë. E Jezusi na thotë “Kujdes, ruhuni nga tharmi i keq, ai i farizenjve’. E ç’është ky tharm? Është hipokrizia. Ruhuni, pra, nga tharmi i farizenjve, që është hipokrizia!”.

Hipokrizia, skizofreni shpirtërore ose nominalizën ekzistencial

Hipokrizi - vijoi Papa - është kur i lutesh Zotit me gojë, por zemrën e ke larg tij:

“Është një dasi shpirtërore, hipokrizia. Thuhet një gjë, e bëhet një tjetër. Eshtë një lloj skizofrenie shpirtërore. Pastaj hipokriti është mësallë me dy faqe, njeri që shtiret: duket i mirë, i sjellshëm, ndërsa pas shpine fsheh thikën, eh? Të mendojmë për Herodin. I priti Mbretërit Dijetarë me dashamirësi të madhe, ndërsa në shpirt fshihte një frikë edhe më të madhe”.

Kështu i priti. Por pastaj, në çastin e ndarjes, u tha: “E po shkoni e pastaj kthehuni e më tregoni ku është ky fëmijë, që edhe unë të shkoj e ta adhuroj!’. E tha këtë, për ta gjetur e për ta vrarë. Ishte njeri me dy faqe…”. Jezusi, duke folur për këta doktorë të ligjit, thotë: ‘Këta thonë e nuk bëjnë!' Është një formë tjetër e hipokrizisë. Eshtë nominalizëm ekzistencial: ata janë njerz që besojnë se punët bëhen vetëm me fjalë, se mjafton të flasësh, që puna të kryhet sakaq. Një të thënë e një t’u bërë! Jo! Punët nuk bëhen me fjalë. Duhet të bësh, jo vetëm të thuash! E hipokriti është nominalist, beson se gjithçka bëhet vetëm me fjalë. Pastaj hipokriti nuk është i aftë ta akuzojë vetveten. Nuk i shikon njollat e veta. Shikon vetëm të të tjerëve, mbasi beson se vetë është  pa asnjë dangë. E ne na shkon menjëherë mendja tek lëmishtja e  tek trau, eh? E kështu mund ta përshkruajmë këtë tharm, që është hipokrizia".  

Duhet thënë e vërteta, larg gënjeshtrave

Papa fton të bëhet rrëmimi i ndërgjegjes, për të kuptuar nëse rritemi me tharm të mirë, apo të keq, duke e pyetur veten: “Me ç’ frymë i bëj punët? Me frymë që ndërton? Apo me shpirt, që bëhet ajër? E rëndësishme –përfundoi Papa, të mos mashtrojmë, të mos themi gënjeshtra, por gjithnjë të vërtetën:

“Sa çiltërsisht rrëfehen fëmijët! Fëmijët nuk thonë kurrë, kurrë, gënjeshtra  në rrëfim; e kurrë, gjëra abstrakte. ‘Kam bërë këtë e këtë tjetrën, kam bërë…’: konkretë, fëmijët, kur janë para Zotit e para të tjerëve,  thonë gjëra konkrete. Pse? Sepse kanë tharmin e mirë, tharmin që të bën të rritesh, siç rritet Mbretëria e Qiellit. E Zoti na jep, ne të gjithëve, Shpirtin Shenjt dhe hirin e çiltërsisë, për të thënë cili është tharmi që më rrit, cili, ai që më nxit të veproj. Jam njeri i drejtë, transparent, apo hipokrit!”

Ta rrëmojmë, pra, ndërgjegjen tonë, që të mund t’i japin përgjigje të vërtetë vetvetes, jo të gënjeshtërt, e të mbruhemi me tharmin e mirë!








All the contents on this site are copyrighted ©.