2016-10-13 14:37:00

Papa për Ditën e Emigrantëve: shkandulli i të miturve “pa zë”


“Emigrantët e mitur, të brishtë e pa zë”: kjo është tema e zgjedhur nga Papa Françesku për Ditën Botërore të Emigrantit e të Refugjatit, që do të kremtohet më 15 janar 2017. Në mesazhin e tij për këtë ditë, Ati i Shenjtë e fton bashkësinë e krishterë e krejt shoqërinë t’i japë përgjigje dramës së miliona fëmijëve dhe të rinjve, shpesh të pashoqëruar, në ikje nga lufta, dhuna, varfëria e fatkeqësitë natyrore.

         Jezusi flet qartë: “Kush e pret vetëm njërin nga këta fëmijë në emrin tim, më pret mua” e shton edhe “Kush shkandullon edhe vetëm njërin nga këta të vegjlit, që besojnë në mua, më mirë të hidhet në fund të detit”. Fjalë paralajmëruese, nënvizon Papa, për njerëz të paskrupullt, që i shfrytëzojnë fëmijët për prostitucion e pornografi, i kthejnë në skllevër pune e në ushtarë, i përfshijnë në trafikun e drogës e të krimit. Fëmijë, që detyrohen të ikin nga konfliktet e persekutimet, me rrezikun për të mbetur vetëm e të braktisur. Për këtë arsye, shkruan Ati i Shenjtë, “të tërheqim vëmendjen e botës ndaj realitetit të emigrantëve të mitur, sidomos kur mbeten vetëm, duke i nxitur të gjithë të kujdesen për fëmijët, të cilët janë tri herë të pambrojtur, sepse të mitur, sepse të huaj e sepse të pafuqishëm”.

         Ç’përgjigje mund t’i japim një realiteti të tillë, kur fëmijët detyrohen të jetojnë larg tokës së origjinës dhe të ndarë nga anëtarët e familjes, pyet Papa, i cili sugjeron tri fusha veprimi: mbrojtjen, integrimin dhe zgjidhjet afatgjata. Mbrojtja, thekson Françesku, arrihet duke luftuar shfrytëzuesit e të miturve, duke i vënë fre çdo forme të skllavërimit e duke bashkëpunuar me emigrantët për të krijuar rrjete, të afta të ndërhyjnë në kohë, aty ku duhet.

         Për integrimin, vijon Ati i Shenjtë, duhen gjetur burime financiare, që të sigurojnë mikpritjen, ndihmën dhe përfshirjen në shoqërinë e vendit, ku zbarkojnë fëmijët emigrantë. Në vend që të favorizohet ky integrim, ose edhe programe riatdhesimi të sigurta, denoncon Papa, u pengohet emigrantëve hyrja në vendet perëndimore, duke ia hapur rrugën trafikut të paligjshëm, ose kthehen mbrapsht në vendin e origjinës, pa u interesuar ç’i pret.

         “E drejta e shteteve për administrimin e flukseve të emigracionit dhe për mbrojtjen e së mirës së përbashkët kombëtare – shkruan Françesku – duhet të pajtohet me detyrën për të zgjidhur e ligjëruar pozitën e emigrantëve të mitur, duke respektuar plotësisht dinjitetin e tyre”.

Fusha e tretë, për të cilën flet Ati i Shenjtë në mesazh, ka të bëjë me zgjidhjet e qëndrueshme e afatgjata, gjë që do të thotë përballimin e shkaqeve nxitëse të emigracionit, në vendin e origjinës. Kjo, pohon Papa, kërkon impenjimin e gjithë bashkësisë ndërkombëtare për të ndalur konfliktet dhe dhunën, të cilat i detyrojnë njerëzit të ikin, por shtron për zgjidhje edhe çështjen e hartimit të programeve të përshtatshme në zonat e karakterizuara nga padrejtësi të rënda dhe paqëndrueshmëri, në mënyrë që të gjithëve t’u garantohet zhvillimi i vërtetë, i cili promovon të mirën e fëmijëve, shpresë për njerëzimin.

Së fundi, inkurajimi i Papës për ata, që ecin së bashku me të miturit në rrugët e emigracionit: “kanë nevojë për ndihmën tuaj të çmuar – u thotë Ati i Shenjtë veprimtarëve të kësaj fushe – e, edhe Kisha ka nevojë për ju e ju mbështet në shërbimin tuaj bujar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.