2016-10-13 13:45:00

Françesku: i krishteri duhet të jetë gjithnjë përudhë, për të bërë mirë


Të krishterët e ndjejnë gjithnjë nevojën e faljes e janë gjithnjë përudhë drejt takimit me Zotin. Këtë pohoi Papa Françesku sot, në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë skicoi portretin e të krishterit të mirë që - theksoi - duhet ta ndjejë gjithnjë mbi vete bekimin e Zotit e të shkojë përpara, për të bërë të mirën.

 

“I krishteri është i bekuar nga Ati, nga Zoti”. Papa Françesku e shtjelloi homelinë duke u frymëzuar nga Letra e Shën Palit drejtuar Efezianëve, Leximi I në kremtimin e sotëm. E më pas kujtoi tiparet e këtij bekimi për të krishterin. Mbi të gjitha – vërejti - i krishteri është njeri i zgjedhur.

Ati na zgjodhi një për një, na do e na dha një emër

Zoti na thërret një për një, jo si turmë oqeanike. Ne - vijoi - jemi zgjedhur e Ati na pret.

“Të mendojmë për çiftin, që pret një fëmijë: ‘Si do të jetë? Si do ta ketë buzëqeshjen? E si do të flasë?’. Po unë guxoj të them se Ati na ëndërroi   edhe ne, secilin prej nesh, ashtu siç bëjnë nëna e babai, që e ëndërojnë fëmijën e shumëpritur. E kjo të jep një siguri të madhe. Ati të deshi ty, jo një masë njerëzish, jo: ty, ty, ty. Secilin nga ne. Është themeli, baza e marrëdhënieve tona me Zotin. Ne flasim për një Atë, që na deshi, na zgjodhi, na dha një emër”.

Kuptohet - vijoi akoma - kur një i krishterë nuk e ndjen veten të zgjedhur nga Ati. Ndërsa kur e ndjen se i përket një bashkësie, i ngjet tifozit të një skuadre futbolli. Tifozi - komentoi - e zgjedh skuadrën e futbollit dhe i përket asaj.

I krishteri i vërtetë e ndjen gjithnjë se ka novojë për faljen e Zotit

I krishteri, pra, është i zgjedhur, i ëndërruar nga Zoti. E kur jetojmë kështu - shtoi Papa - ndjejmë në zemër një ngushëllim të jashtëzakonshëm, nuk ndjehemi të braktisur, nuk na thotë kush “bëji derman vetes”. Tipari i dytë i bekimit të të krishterit është ndjesia e faljes. Njeriu, që nuk ndjehet i falur -  kujtoi Françesku - nuk është plotësisht i krishterë:

“Ne të gjithë u falëm me çmimin e gjakut të Krishtit. Por për çfarë gjëje u fala? Thirri mendjes e kujto punët e liga, që ke bërë ti vetë, jo miku yt, i afërmi, e afërmja jote. ‘Ç ’punë të këqija kam bërë në jetë?’. Po Zoti ma fali të keqen. Jam i bekuar, jam i krishterë’. Domethënë, tipari i parë: jam i zgjedhur, i ëndërruar nga Zoti, me një emër, që ma dha vetë Zoti, e i dashur nga Ati. Tipari i dytë: “Zoti më ka falur”.

I krishteri nuk pushon kurrë, është gjithnjë përudhë për të bërë mirë

Tipari i tretë: i krishteri është burrë a grua në ecje drejt përsosurisë, drejt takimit me Krishtin, që na shpërbleu:

“As që mund të kuptohet një i krishterë, që rri si i ngrirë, i palëvizshëm. Të krishterit nuk i zënë këmbët dhe, ecën gjithnjë. I krishteri i palëvizshëm  është ai që mori talentin e, nga frika e jetës, frika se do të mund ta humbiste, frika nga zotëria, frika se do t’i prishej rehati, e groposi, e la aty talentin dhe e vijoi jetën i qetë, pa lëvizur asgjëkundi. Po i krishteri nuk mund të rrijë i ngrirë, është gjithnjë përudhë, bën gjithnjë mirë, kërkon të bëjë mirë, të shkojë gjithnjë përpara”.

Ky - përmblodhi - është identiteti i krishterë: “Të bekuar, sepse të zgjedhur, sepse të falur e sepse gjithnjë përudhë. Ne - tha duke përfunduar Papa - nuk jemi të paemër, nuk jemi mendjemëdhenj, aq sa të mos kemi nevojë për falje.  E sigurisht nuk jemi njerëz, që rrinë si të ngrirë.

Zoti - u lut Françesku - na shoqëroftë me hirin e bekimit, që na e dha, domethënë, me bekimin e identitetit të krishterë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.