2016-10-13 16:17:00

Bob Dylan, Nobel për letërsinë: poeti i rokut, që këndoi për Vojtilën


Ndërsa një Nobel për Letërsinë, italiani Dario Fo, ndërroi jetë, në moshën 90-vjeçare, pikërisht në ditën e dhënies së këtij çmimi, sot, një Nobel tjetër në këtë fushë i jepet poetit të rokut, Bob Dylan, të cilin është pak ta quash këngëtar. Vërtet, kënga e tij e mirënjohur “Blowing in the wind” diskutohej ditët e kaluara si hipotezë për Çmimin Nobel në letërsi, por dhënia zyrtare e tij i la gojë hapur të gjithë e u prit me ushëtimë në sallën e Stokholmit.

Dylan, në shekull Robert Zimmermann, i mbiquajtur “menestreli i rokut”, sipas Komitetit për Çmimin Nobel ka “krijuar një shprehje të re poetike, në kuadrin e  traditës së muzikës amerikane”. Historia e tij e gjatë nis më 24 maj 1941 në Duluth të Minesotës (SHBA). “Enfant prodige”, që gjashtë vjeç e shfaq qartas pasionin për muzikën dhe studion pianoforten. Pastaj, blen një kitarrë me korrespondencë dhe fillon të bëjë praktikë. Ishte rebel, sepse në moshën 10 vjeçare, ikën nga shtëpia e shkon në Çikago.

Është gjithnjë para të tjerëve, por i pashtruar siç ishte e edhe i papjekur nga pikpamja muzikore, nuk vlerësohet shumë. Në vitin 1961 regjistron albumin e tij të parë muzikor, i cili del në shitje në vitin 1962. Pjesë tradicionale për zë, kitarrë dhe harmonikë, por vetëm dy këngë origjinale të tij: “Talkin’ New York” dhe “Song to Woody” kushtuar Woody Guthrie-t, frymëzuesit dhe përkrahësit të tij. Nga ai çast, Dylan fillon të shkruajë këngë të destinuara për t’u bërë himne militante për të drejtat civile, këngë proteste si “Don’t think twice, it’s all right”, “Masters of War” e sidomos “Blowing in the wind”.

Bob Dylan kthehet në një mit të vërtetë popullor, aq sa këndoi edhe para Papës Gjon Pali II, në një koncert historik të vitit 1997, gjatë të cilit la mënjanë kitarrën, shkoi drejt Atit të Shenjtë dhe u përkul para tij. Akush nuk e kishte imagjinuar kurrë se do të vinte një ditë e tillë e do të shihte një skenë të tillë. Në vitin 2008 merr Çmimin Pulitzer si këngëtar autor, një nga më të famshmit e gjysmës së dytë të shekullit XX. Sot, surpriza e fundit: Çmimi Nobel për letërsinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.