2016-10-12 14:40:00

Më 12 tetor Kisha katolike përkujton Zojën e Bekuar të Pilarit


Kujtojmë, sot më 12 tetor, shenjtëroren më të lashtë të Spanjës e ndoshta edhe të mbarë krishterimit, atë të së Lumes Mari Virgjër të Pilarit në Saragozë. Zanafilla e lashtë e shumë shenjtëroreve ose tempujve të famshëm shpjegohet pikërisht me dukjet e Virgjërës Mari. Kështu, Shenjtërorja e Pilarit, në Saragozë, për shembull, nisi të ndërtohej pasi Zoja iu duk Shën Jakut të Madh, ungjillëzues i Spanjës, në vitin 41 pas Krishtit.

Ndërtesa e shenjtërores e stilit barok, në formë drejtkëndëshi, është e ndarë në tri navata dhe e stolisur me piktura e afreske nga Velasquez, Goya, Ramon e Bayen. E gjatë njëqind e tridhjetë e pesë metra, e gjerë pesëdhjetë e nëntë, ka katër kulla e njëmbëdhjetë kupola, ndërmjet të cilave shquhet kupola qendrore, 80 metra e lartë.

Sipas gojëdhënës, kapela e lashtë qe ndërtuar nga shën Jaku i Madh Apostull rreth vitit 40, në kujtim “të Ardhjes” së mrekullueshme të Virgjërës Mari nga Jeruzalemi në Saragozë për ta ngushëlluar apostullin, që ishte dëshpëruar nga rezultatet negative të predikimit të tij. Pilar quhet shtylla e alabastrit ku, siç tregon gojëdhëna, mbështeti këmbët Zoja e Bekuar, e prej këndej edhe u quajt “Zoja e Pilarit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.