2016-10-12 14:16:00

Evropa nuk lejon të merret me qera mitra


Refuzim i ri i Evropës për amësinë e zëvendësuar, apo surrogate, hedhur poshtë nga Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës, ku bëjnë pjesë 47 vende, ndër të cilat edhe Shqipëria. Në prill dhe në shtator, edhe Komisioni i Punëve Shoqërore nuk e pranoi mundësinë e një ligji, që të propozonte marrjen e mitrës me qera e, po kështu, pati bërë edhe Parlamenti i Bashkimit Evropian në dhjetor 2015, duke e quajtur këtë mundësi, “praktikë, që lëndon dinjitetin e gruas”. Pra, nuk do të ketë asnjë ligj për amësinë surrogate dhe për të drejtat e fëmijëve, që lindin nga kjo praktikë. U hodh poshtë rekomandimi i paraqitur nga deputetja belge Petra De Sutter, që kërkonte hartimin e linjave udhëheqëse për të garantuar të drejtat e fëmijëve në rastet e amësisë së zëvendësuar.  Parlamentarët e hodhën poshtë, pasi ishte një mënyrë e tërthortë për të miratuar marrjen e mitrës me qera, duke shfrytëzuar të drejtat e fëmijëve, që lindin nga kjo praktikë. Propozimi u hodh poshtë me 83 vota kundër, 77 pro dhe 7 abstenime. Të dëgjojmë zëdhënësin e Federatës Evropiane të Shoqatave familjare katolike, Nicola Speranza, nga Strasburgu:

Sigurisht, është hap i rëndësishëm, që i jep një sinjal gjithë Evropës. E dimë se në disa vende po diskutohet kjo temë e këtu, në Strasburg, po dalim nga një debat shumë i ashpër, nganjëherë, i ngarkuar me devijime ideologjike, që e përçajnë Asamblenë parlamentare, përçajnë njerëzit, qytetarët dhe shtetet. Ka vende në Evropë, që akoma lejojnë disa forma të amësisë surrogate dhe e tolerojnë këtë realitet, duke pretenduar se nuk ka qëllime tregtare. Por e dimë mirë se ky është trillim: amësia surrogate ‘altruiste’ – siç është quajtur – nuk ekziston. Prandaj, tani duhet të fillojmë një luftë të vërtetë për ta parandaluar marrjen e mitrës me qera dhe përdorimin e kësaj praktike.








All the contents on this site are copyrighted ©.