2016-10-10 16:43:00

Dom Ernest Troshani kthehet si Kardinal nesër në Shqipëri.


Me përvujtëri, me mirënjohje ndaj Papës, plot emocion dhe i vetëdijshëm se emërimi tij për Kardinal, i takon Kishës shqiptare e popullit mbarë, dom Ernest Simoni Troshani po bëhet gati, për t’u kthyer nesër, nga misioni pranë diasporës në vendlindje, tash si Kardinal.

E sigurisht që emërimi i Kardinalit të ri shqiptar nga Papa Françesku, në personin e priftit martir, dom Ernest Simoni Trsohani, është një vëmendje e mëtejshme atërore e Atit të Shenjtë Françesku, një vlerësim tjetër i Selisë së Shenjtë ndaj Kishës dhe mbarë popullit shqiptar të shumëvuajtur e të persekutuar-

Po emërimi i Kardinalit të ri shqiptar është edhe shenjë inkurajimi, për të gjithë shqiptarët, për të vazhduar ecjen në udhën e atyre vlerave shpirtërore e njerëzore, fetare e kulturore, kishtare e kombëtare të etërve, për të cilat flijuan jetën martirët, e për të cilën kontribuuan edhe të gjithë ata që mbijetuan nga persekutimi, siç është edhe kardinali ri dom Ernesti.

Siç përmendem, emërimi për Kardinal e gjeti dom Ernestin në gjirin e diasporës shqiptare në Toskana të Italisë, e pikërisht në Pistoia, ku kishte shkuar për të vizituar qytetarët dhe besimtarët shqiptarë emigrantë, për të cilët këto ditë kremtoi dy Meshë.

Kardinali ri shqiptar, dom Ernest Simoni Troshani kthehet nesër në Shqipëri si Kardinal, e kthehet me një bekim hyjnor prej Papës e për të thënë edhe një herë se udha e vetme që ka populli shqiptar është udha dashurisë dhe vëllazërimit.

Sot, një ditë pas emërimit për Kardinal, në  mikrofonin e kryeredaktorit të programit shqip të Radio Vatikanit, dom David Xhuxhës, dom Ernest Simoni Troshani rrëfen si e mori lajmin për shpalljen e tij si Kardinal nga Papa Bergoglio, papritmas, nga TV, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot.

Kështu, në mikrofonin e Radio Vatikanit, ju propozojmë ti dëgjoni emocionet e tij, mirënjohjen ndaj Papës e Kishës, përvujtërinë e tij, që e karakterizoi gjithmonë, madje edhe në mikrofonin e Radio Vatikanit kur thotë se, “ashtë një nderim tepër i madh për mue”, “jam shërbëtor i padenjë i Kishës, po gjithçka e gjithmonë për lavd e nderim të Krishtit, të Kishës e të popullit shqiptar”.

Po më hollësisht ta dëgjojmë bisedën e përgjegjësit të programit shqip të Radio Vatikanit, dom David Xhuxhës me kardinalin e ri shqiptar, dom Ernest Simoni Troshani, një ditë pas shpalljes për Kardinal të Kishës nga Papa....

 








All the contents on this site are copyrighted ©.