2016-10-07 19:25:00

Ultra HD. Imzot Viganò: risi për ta përhapur më mirë mesazhin e Papës


“Kalime: komunikimi dhe teknologjia përtej kufijve”: kjo është tema e Konferencës 2016 të Forumit HD në Itali, shoqatë që përhap përdorimin e informacioneve multimediale dhe të teknologjisë së përparuar e të njohur si “Definicion i Lartë” apo HD. Takimi u organizua në Romë, në bashkëpunim me Sekretarinë e Selisë së Shenjtë për Komunikimin, nga e cila varet edhe Radio Vatikani. Në qendër të konferencës, në të cilën morën pjesë ekspertë të njohur ndërkombëtarë, ishte përmirësimi i jashtëzakonshëm i figurës përmes teknologjisë Ultra HD. Takimin e hapi prefekti i Sekretarisë, imzot Dario Edoardo Viganò, i cili nënvizoi se mediat e Selisë së Shenjtë duhet të ecin me kohën dhe me ndryshimet teknologjike në nivel global.

         Zgjoi emocion të madh videoja në Ultra HD, ku tregohej hapja e Portës Shenjte të Jubileut të Mëshirës nga Papa Françesku. Por jo më pak, edhe një film me metrazh të shkurtër, titulluar “Motra Fibër”, në të cilin autori, Eugenio Bonanata, e lidh fillin e qëndizmave të klariseve me një fill tjetër, me fibrën optike, që do të vendosë në gjithë territorin e saj Republika e Shën Marinos, brenda vitit 2017. Qendrore edhe ndërhyrja e drejtorit të Qendrës Televizive të Vatikanit, Stefano D’Agostini, i cili njoftoi se më 20 nëntor, ceremonia e mbylljes së Portës Shenjte do të transmetohet në Ultra HD përmes fibrës optike të Shën Marinos dhe satelitit.

         Në këtë konferencë, prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Viganò, foli për zhvillimin e mediave dhe për reformën e mediave të Vatikanit. Ta dëgjojmë, ndërsa sqaron si lidhet kjo reformë me risitë teknologjike, si Ultra HD:

         Reforma na diktohet më tepër nga historia: jemi në një çast, në të cilin, për shembull, nuk ekzistojnë më kufij të ngurtë ndërmjet mediave. Le të mendojmë sot ç’është radioja, ç’është televizioni: nuk e dimë… Kemi një kufi jo të përcaktuar qartë, falë konvergjencës digjitale. Ajo na jep rastin për të reflektuar mbi formatet dhe mbi cilësinë e formateve. E kjo është arsyeja, për të cilën Sekretaria e Komunikimit bashkohet me këtë reflektim të nivelit të lartë mbi formatet dhe teknologjinë. Ne transmetojmë Papën, Ungjillin, mesazhin e Magjisterit, prandaj, edhe më shumë se të tjerët, kemi nevojë të mësojmë formatet e cilësisë së lartë si përsa i përket imazhit, ashtu edhe përsa i përket audios.

         Mendoni se përdoruesit e mediave mund të tërhiqen më tepër në këtë mënyrë?

         Shumë e në më tepër nivele. Le të mendojmë ç’do të thotë sot që media, e në veçanti mediat tradicionale, për shembull televizorët, mbushin vende dhe hapësira, që nuk lindin për përdorimin e tyre: muzetë, videot nëpër mure në rrugë… Pra, kemi të bëjmë me një “zhytje” shoqërore, brenda kuadrit të prodhimit audioviziv. …Komunikimi i Papës është i tipit ritual, pra, i përfshin dhe i tërheq të gjithë, sepse veprimi ritual karakterizohet nga shumë kode, si ai luminoteknik, ai olfativ, kodi prosemik, etj.. Në ndërmjetësimin televiziv, disa nga këto kode nuk ekzistojnë, por nëse ne, në një farë mënyre, arrijmë t’i bëjmë të kuptueshme, duke shfrytëzuar intuitën, i japim mundësi spektatorit të hyjë brenda kremtimit e ta jetojë atë me emocion të thellë, me empati të madhe. Në çaste të tjera nuk kemi të bëjmë me veprime rituale, por me gjeste të rëndësishme, si përkëdhelje, përqafime, kur lejon ndokënd të hipë në papamobil: këto janë gjeste të fuqishme, që kthehen në ikona. E kur këto ikona kanë forcë të dallohen edhe për cilësinë, kjo, natyrisht, është tepër e dobishme.








All the contents on this site are copyrighted ©.