2016-10-05 14:02:00

Thirrje e Papës në audiencën e përgjithshme: paqe dhe respekt në Kaukaz


“Zoti e bekoftë Armeninë, Gjeorgjinë dhe Azerbajxhanin e shoqëroftë rrugën e popullit të Tij të shenjtë, shtegtar në këto vende”. Me këtë bekim, Papa Françesku përfundoi katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit. Ati i Shenjtë, duke folur për udhëtimin e tij të 16-të apostolik, nënvizoi se misioni i vërtetë i Kishës nuk është prozelitizmi, por tërheqja e njerëzve drejt Krishtit.

Vizita në Kaukaz, theksoi, ishte vazhdimi dhe plotësimi i udhëtimit të mëparshëm në Armeni:

“Në këtë mënyrë, munda – falë Zotit – të realizoj planin për t’i vizituar të trija këto vende të Kaukazit, për të përforcuar Kishën Katolike, që jeton aty, dhe për të inkurajuar rrugën e atyre popullsive drejt paqes e vëllazërimit”.

Mirënjohje për Patriarkun Ilia II dhe për shehun e myslimanëve

Ati i Shenjtë u shprehu mirënjohjen autoriteteve civile dhe fetare të dy vendeve, në veçanti Patriarkut ortodoks të Gjeorgjisë, Ilia II dhe shehut të myslimanëve të Kaukazit. Për Patriarkun tha:

“Dëshmia e tij më bëri mirë në zemër dhe në shpirt”.

Kisha, shenjë bamirësie dhe promovimi njerëzor

Gjeorgjia dhe Azerbajxhani kanë rrënjë historike dhe fetare shumë të lashta, vuri në dukje Papa Françesku. Aktualisht, ato përjetojnë një fazë të re. Të dyja vendet kremtojnë 25-vjetorin e pavarësisë nga regjimi sovjetik:

 “Kisha Katolike është e thirrur të jetë e pranishme, të jetë e afërt, veçanërisht, të jetë shenjë e dashurisë së krishterë dhe e promovimit njerëzor. E ajo përpiqet ta bëjë këtë në bashkim me Kishat e tjera dhe me bashkësitë e krishtera, në dialog me bashkësitë e ndryshme fetare, me sigurinë se Zoti është Ati i të gjithëve e se ne jemi vëllezër e motra”.

Misioni i vërtetë nuk është prozelitizmi, por tërheqja e njerëzve drejt Krishtit

Në Gjeorgji, vijoi Papa, ky mision realizohet natyrshëm në bashkëpunim me vëllezërit ortodoksë. Ati i Shenjtë kujtoi çastin e lutjes në Tbilisi me bashkësinë asiro-kaldease, për paqen në Siri, Irak dhe në gjithë Lindjen e Mesme. Pastaj, përmendi meshën me besimtarët katolikë, kremtuar në festën liturgjike të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, pajtore e misioneve:

“Ajo na mëson se misioni i vërtetë nuk është prozelitizmi, por tërheqja e njerëzve drejt Krishtit, duke filluar nga bashkimi i fortë me Të në lutje, në adhurim e në bamirësi konkrete, e cila është shërbim për Jezusin e pranishëm në më të voglin e vëllezërve”.

Bashkimi në Krishtin na nxit të kërkojmë takimin dhe dialogun

 Ky stil i pranisë ungjillore, vijoi Ati i Shenjtë, është edhe më i nevojshëm në Azerbajxhan, ku shumica e popullsisë është myslimane dhe katolikët janë vetëm disa qindra vetë. Megjithatë, falë Zotit, kanë marrëdhënie të mira me të gjithë:

“Prandaj në Baku, kryeqytet i Azerbajxhanit, përjetuam dy çaste, që feja di t’i mbajë në marrëdhënie të drejta: Eukaristinë dhe takimin ndërfetar. Eukaristia me bashkësinë e vogël katolike, ku Shpirti Shenjt harmonizon gjuhët e ndryshme dhe i jep forcën e dëshmisë; e ky bashkim në Krishtin nuk pengon, madje nxit, të kërkohet takimi e dialogu me të gjithë ata, që besojnë në Zot, për të ndërtuar së bashku një botë më të drejtë e më vëllazërore”.

Përshëndetja për ish-të burgosurit e Aushvicit

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku përshëndeti, ndër të tjerë, edhe ish-të burgosurit e kampit të përqendrimit të Aushvicit. “Kremtojmë sot – nënvizoi Ati i Shenjtë – festën liturgjike të Shën Faustina Kovalskës. Ajo i kujtoi botës se Zoti është i pasur me mëshirë dhe se dashuria e Tij është më e fuqishme se vdekja, mëkati dhe çdo e keqe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.