2016-10-05 14:39:00

Suedi: notë katoliko-luterane për vizitën e Papës në 500-vjetorin e Reformës


“Në rrugën e ekumenizmit ka edhe pengesa, por urojmë që [vizita e Papës], tashmë në prag, t’i japë energji punës ekumenike në vendin tonë dhe sinjale inkurajuese e shpresë gjithë botës”. Kështu përfundon atrikulli i gjatë, botuar dje në të përditshmen suedeze me frymëzim të krishterë “Dagen”, nënshkruar nga ipeshkvi katolik i dioqezës së Stokholmit dhe nga kryepeshkopja luterane e Upsalës, primate e Kishës së Suedisë. Ati i Shenjtë do të shkojë për vizitë në Lund, pas një muaji, “një ngjarje, që mund të quhet historike”, siç shkruajnë ipeshkvijtë. Më 31 tetor, 500-vjetori i Reformës Protestante, “për herë të parë, krerët e Kishës Katolike dhe ata të Federatës Luterane Botërore” do të kremtojnë së bashku këtë ditë të shënuar për protestantët.

50 vjet dialog katoliko-luteran

Ngjarja është një nga frytet e dukshme të 50 vjetëve të dialogut ndërmjet katolikëve dhe luteranëve, shkruajnë ipeshkvijtë, duke kujtuar “Deklaratën e përbashkët mbi doktrinën e shfajësimit” dhe dokumentin “Nga konflikti në bashkim”. Ata shpjegojnë se manifestimi në Arenën e Malmos, me titull “Së bashku në shpresë”, synon t’i dëshmojë botës mëshirën e Zotit. Pikërisht për këtë, si shenjë konkrete e vullnetit për t’i forcuar edhe më tej lidhjet katoliko-luterane, organizmat bamirëse të të dyja Kishave – Karitasi Ndërkombëtar për katolikët dhe Shërbimi Botëror për luteranët – do të nënshkruajnë një memorandum të përbashkët. Ftesa e të dy ipeshkvijve për besimtarët është të dëshmojnë së bashku Jezu Krishtin, që bota të besojë, si edhe të luten e të punojnë së bashku për të mirën e Ungjillit.








All the contents on this site are copyrighted ©.