2016-10-05 12:16:00

Papa, Vodafone: “më pëlqen shumë” projekti për arsimin online në Afrikë


Papa shprehu vlerësim të madh për nismën “Shkolla të menjëhershme për Afrikën” të Fondacionit Vodafone, që do t’u japë mundësinë miliona të rinjve në disa vende afrikane të gjejnë material didaktik në internet. Nisma iu paraqit sot paradite Papës Françesku nga Drejtori i Përgjithshëm i Vodafonit për Italinë, para audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit. Në një sallë brenda Vatikanit, Ati i Shenjtë u takua me 40 drejtues të firmës.

“Edhe një herë, faleminderit për kortezinë dhe urimet më të mira për këtë projekt, i cili, për sa kam dëgjuar, më pëlqen shumë, është konstruktiv. E sot duhet të jemi konstruktivë, të bëjmë gjëra, që e çojnë përpara njerëzimin e jo vetëm të shohim si bien bombat mbi njerëzit e pafajshëm, mbi fëmijët, të sëmurët, mbi qytete të tëra. Të ndërtojmë, jo të shkatërrojmë!”

Nisma e Vodafonit do të fillojë brenda vjeshtës. Në thelb, projekti synon t’u vijë në ndihmë fëmijëve afrikanë, që nuk kanë mundur të ndjekin shkollën tradicionale. Është fjala për miliona djem e vajza, që jetojnë në Lesoto, në Republikën Demokratike të Kongos, në Gana, Kenia, Mozambik dhe Tanzani, përfshirë kampet e refugjatëve. Pjesë e projektit është edhe organizata pa qëllim fitimi “Learning Equality” (Barazia e mësimit), e cila vë në dispozicion materiale falas për arsimimin përmes internetit.

Mjetet duhen përdorur lirisht e në mënyrë kritike

Ky projekt, vërejti Papa Françesku, duhet të jetë në gjendje t’u ofrojë më shumë mundësi zhvillimi grupeve, që ka rrezik të përjashtohen nga shoqëria. Gjithsesi, Ati i Shenjtë sugjeroi që të rinjve t’u mësohet metodologjia, në mënyrë që mjetet e vëna në dispozicion t’i përdorin lirisht e në mënyrë kritike.

Tekstet e shenjta të feve në internet

E Papa nuk harroi të theksojë rëndësinë e përmasës fetare:

“Së fundi, një dëshirë: ndër materialet, që u ofrohen të rinjve, të gjenden në internet edhe tekstet e shenjta të feve të ndryshme, në gjuhë të ndryshme. Kjo do të ishte shenjë kujdesi për përmasën fetare, kaq të rrënjosur në popujt afrikanë, si edhe shenjë inkurajimi për dialogun ndërfetar”.

Projekti është falas për mësuesit dhe nxënësit

Sipas një studimi të UNESCO-s, që analizon të dhënat e vitit 2013, 59 milion fëmijë në botë, nga 6 deri në 11 vjeç, nuk kanë shkuar në shkollë. Ndër ta, 30 milion jetojnë në Afrikën subsahariane. Me këtë projekt, librat e tekstit dhe enciklopeditë do të mund të konsultohen me tablet nga nxënësit dhe, me kompiuter të shoqëruar me projektues, nga mësuesit. Rrjeti i internetit i Vodafonit do të jetë falas. Fondacioni Vodafone do të nxisë kompanitë e tjera të vendeve të Afrikës të ndërmarrin projekte të ngjashme në favor të arsimimit të afrikanëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.