2016-10-05 11:03:00

Më 5 tetor kalendari përkujton Shën Faustinën Kovalska.


Më 5 tetor Kisha katolike përkujton Shën Maria Faustinën Kovalska, rregulltaren mistike, me të cilën lidhet ngushtë kulti i Mëshirës Hyjnore. Faustina lindi në fillim të shekullit të kaluar e vdiq në moshën 33 vjeçe, më 1938. Sot, përshpirtëria e rregulltares, lartuar në nderimet e altarit në vitin 2000 nga Papa Shën Gjon Pali II, është përhapur në shumë vise të botës. 

Përhapja e madhe e kultit të Mëshirës Hyjnore, që nga beatifikimi i motrës Faustina më 18 prill '93, tek kanonizimi i saj më 30 prill 2000, buron nga nevoja që ka çdo njeri për Mëshirën Hyjnore, sepsè - siç tha Papa Shën Gjon Pali II - ku tjetër, përveçse në Mëshirën Hyjnore, mund të gjejnë strehë e shpresë njeriu e bota? 

Misioni i motër Faustinës na kujton të vërtetën mbi Mëshirën Hyjnore, sepsè e dimë që ajo është një e vërtetë e zbuluar në Shkrimin Shenjt - Bibla. Motër Faustina na e kujton këtë të vërtetë në forma të reja, që i janë transmetuar nga vetë Jezusi gjatë dukjeve të tij. Kujtojmë sidomos nderimin e figurës së Mëshirës Hyjnore, që vjen nga vegimi i 22 shkurtit 1931. Pastaj orën e Mëshirës, që ia kërkoi vetë Jezusi, lutjen që Krishti ia mësoi motër Faustinës për t'ia drejtuar Mëshirës së tij Hyjnore. Kujtojmë, sidomos, festën e Mëshirës Hyjnore, themeluar nga Papa Gjon Pali II gjatë kanonizimit të Motrës Faustina, që Kisha e kremton si "E Diela e Mëshirës Hyjnore". E së fundi, kujtojmë përhapjen e këtij kulti, që ende sot vijon përmes atyre që quhen "apostujt e Mëshirës Hyjnore".

Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore, u shugurua nga Papa Gjon Pali II  gjatë shtegtimit apostolik në Poloni nga 16 deri më 19 gusht 2002, për shtegtarët e shumtë që mblidhen atje nga të gjitha kontinentet. Ky tempull, siç ka thënë Papa Wojtila, është bërë qendër e rrezatimit të karizmës së Mëshirës Hyjnore në të gjithë Kishën.

Mëshira e Zotit bën atë që është e pamundur për forcat e njeriut, e festa e Mëshirës Hyjnor, po kujtojmë se u caktua pikërisht të dielën e dytë pas Pashkëve, nga Papa shën Gjon Pali II, gjatë Jubileut të vitit 2000. Ishte dita e shenjtërimit të Apostulles së Mëshirës, shën Faustina Kovalska, prandaj edhe festa mori emrin e Mëshirës Hyjnore.

Kur Kishës i duhet të ripohojë një të vërtetë të keqinterpretuar, apo të tradhtuar, niset gjithnjë e shtyrë nga dashuria e mëshirshme, që njerëzit të kenë jetë e ta kenë me plotësi. Mëshira është vetë emri i Zotit, fytyra me të cilën Ai iu zbulua njerëzimit në Besëlidhjen e Vjetër e më pas, plotësisht, në Jezu Krishtin, mishërim i Dashurisë krijuese dhe shëlbuese.

Kjo dashuri e mëshirshme ndriçon edhe fytyrën e Kishës, e shfaqet si përmes Sakramenteve, në veçanti në atë të Pajtimit, ashtu edhe në veprat e bamirësisë, në ato të bashkësisë e individuale. Gjithçka thotë e bën Kisha tregon mëshirën dhe dashurinë e Zotit për njeriun. Prandaj nuk duhet të harrojmë se nga Mëshira Hyjnore, që pajton zemrat e njerëzve, rrjedh më pas paqja e vërtetë në botë, paqja në familje, paqja ndërmjet popujve, kulturave dhe feve të ndryshme. 








All the contents on this site are copyrighted ©.