2016-10-04 13:15:00

Rregulltarët Karmelitan përuruan shtëpinë e lutjes “Shën Jozefi” në Nënshat


Karmelitanët përuruan shtëpinë e lutjes “Shën Jozefi”në festën liturgjike të Shën Terezës së Jezusit Fëmijë, në Kishën e Shën Mëhillit e të Familjes së Shenjtë, pranë kuvendit të Motrave Karmelitane, në Nënshat. Ceremonia e përurimit u kremtua në praninë e eprorit të përgjithshëm të Karmelitanëve, atë Cannistrò, të kryeipeshkvit të Shkodrës, imzot Masafra, të Administratorit dioqezan të Sapës dom Simon Kulli, meshtarëve, motrave rregulltare dhe të shumë besimtarëve. Mos të harrojmë se lutja është pasqyrim  i dashurisë, që ndjejmë për Zotin, për të tjerët e për botën e krijuar. Secili nga ne, në lutjen tonë, duhet të bëhet sa më i ngjashëm me Jezusin, me ndërtimin dhe formën e ritmuar, shndërrohet në shprehje të mbarë Kishës, nuses së Krishtit, që përpiqet të bëhet një me Zotin e vet. Më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit...

INAUGURIMI I SHTËPISË SË LUTJES  “SHËN JOZEFI”  KARMEL- NËNSHAT

Bashkësia e Etërve Karmelitan, kanë bashkendarë gëzimin e Inaugurimit të Shtëpisë së lutjes “Shën Jozefi” në Karmel Nënshat. Në praninë e Atit Gjeneral Karmelitan, Pader Saverio Cannistrà, në prani të Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, Administratorit Dioqezan të Sapës D. Simon Kulli, meshtarë, motra dhe besimtarë të shumtë, kjo ceremoni u mbajt në ditën e Shën Terezes së Jezusit Fëmijë, në Kishën e Shën Mëhillit dhe të Familjes së Shenjtë, pranë kuvendit të Motrave Karmelitane.

E si zakonisht, i zoti i shtëpisë  dom Simon Kulli, ndërsa uroj mirëseardhjen në këtë vend të shenjtë, ku për shekuj me radhë ka qenë ipeshkvia e Sapes, zemra e dioqezës sonë, kujtoi se, para se të ekzistonte kjo palestër e shpirtit, më së pari kishte lindur në zemrën e madhe të Imzot Lucjanit, i cili qe frymëzuar prej Zotit për ta ndërtuar një realitet të tillë që tashmë po merr jetë plotësisht tha ai. Në ngjashmëri më këtë palestër shpirtërore kemi edhe “Shtëpinë e Bamirësisë” në Vau-Dejës ku përjetohen më së miri veprat e mëshirshme. Këto dhe realitete të tjera në dioqezën tonë ishin dhe do mbeten vepra të Ipeshkvit tonë të dashur tha dom Simoni.  

Ati Gjeneral, pader Saverio gjatë përshëndetjes së tij, nuk ngurroi të shprehte me plot emocion gëzimin e rilindjes së këtij urdhëri edhe në Shqipëri, duke iu bashkuar kështu shërbimit në Kishën Shqiptare.

Ndërkohë që Imzot Massafra kujtoi se, sot kemi mundësinë të shijojmë përshpirtërinë karmelitane falë ndihmës së dhënë prej pranisë së motrave Karmelitane fillimisht, dhe prej vëllezërve që u janë bashkuar atyre në mënyrë që të ndihmojnë në pasurimin e tokës sonë me shpirtin profetik sipas mënyrës së Elisë.

Me bekimin dhe prerjen e shiritit Shtëpia e Lutjes hapi dyert e saj për të mirëpritur të gjithë njerëzit vullnetmirë për tërheqje shpirtërore dhe takim me Zotin nëpërmjet lutjes, meditimit dhe soditjes.

Karmeli në Nënshat i ndërtuar në këtë vend me vlera historike, tashmë është kthyer në një qendër shpirtërore, e cila që prej 29 shtatorit 2003, do merrte jetë rishtas me ardhjen e Motrave Karmelitane. Kjo vepër shpirtërore u bë e mundur nga ish ipeshkvi i Sapës, në atë kohë, imzot Dodë Gjergji.

Ndërsa në tetor të vitit 2013, me ftesë  të imzot Lucjan Avgustinit u vendosën edhe Etërit Karmelitanë, prania dhe shërbimi i të cilëve është dhe do jetë, akoma më tepër  një dhuratë e madhe për dioqezën tonë dhe për mbarë trevat Shqiptare. Shtëpia e Lutjes është një oazë paqeje dhe lutjeje falë pranisë së dy bashkësive karmelitane. Ky vend u ofrohet të gjithë atyre që kërkojnë qetësi, heshtje, predikim, bisedë, formim dhe takim për të zbuluar vetveten dhe Hyjin.








All the contents on this site are copyrighted ©.