2016-10-04 12:54:00

Papa, për drekë me 60 të moshuar në Rieti


Pas vizitës në Amatrice, ku u takua me të dëmtuarit nga tërmeti, Papa Françesku shkoi për drekë në Rezidencën Shëndetësore Asistenciale “Shën Rafael Borbona” në provincën e Rietit. Aty, Ati i Shenjtë përshëndeti një e nga një 60 pacientët, 30 prej të cilëve, të moshuar, që janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre për shkak të tërmetit.

Papa e pa krejt strukturën, rrethuar me ahe dhe gështenja, foli me pacientët, sidomos me bashkëshortët Bizzoni, familja e vetme e Amatrices, që nuk ka pësuar humbje gjatë tërmetit. Ati i Shenjtë u ul në tryezë së bashku me pacientët dhe hëngri një pjatë oriz, duke kërkuar falje se nuk e përfundoi drekën, pasi u ngrit për të shkuar në vendet e tjera të goditura nga tërmeti. Nuk harroi t’u kërkojë pacientëve të luten për të.








All the contents on this site are copyrighted ©.