2016-10-04 12:31:00

Më 4 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Françeskun e Asizit.


Nga një rini e shkujdesur e plot dëfrime, Shën Françesku posa ndjeu mëshirë për të gërbulurit, u kthye në rrugën e Ungjillit dhe e jetoi pa asnjë lëkundje, në varfëri e në gëzim, duke e ndjekur Krishtin e përvuajtur, të varfër e të pastër, sipas shpirtit të lumnive. Së bashku me vëllezërit e parë që e ndiqnin, të tërhequr nga forca e shembullit të tij, predikoi kudo dashurinë e Zotit, duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në përtëritjen e Kishës.

I dashuruar me Krishtin, e përqendroi përvojën e tij shpirtërore në kundrimin e Shpellës së Betlehemit e të Kalvarit. Mbarti në korpin e vet shenjat e Mundimeve të Krishtit: pesë plagët. Në të, ashtu si në mistikët më të mëdhenj, u shkrinë harmonia me gjithësinë, të cilës i këndoi mrekullisht në Këngën e Krijesave. Qe frymëzues e Atë i familjeve rregulltare mashkullore e femërore që morën prej tij emrin “françeskane”. Piu XII e shpalli Pajtor të Italisë më 18 qershor 1939.
Urdhri françeskan nisi së pari në Asizi të Italisë, por shumë shpejt u përhap në vise të tjera të botës, e kështu edhe në Shqipëri e në trevat tjera shqiptare si në Kosovë e Mal të Zi.

E sot, ndër të gjitha Kishat françeskane të botës u kremtua festa e Shën Françeskut, që me shembullin e vet vijon të tërheqë mijëra njerëz të kombësive të ndryshme në rrugën e Krishtit Zot e Shpëtimtar. Shën Françesku i Asizit i cili, duke i përngjarë Krishtit, hoqi dorë nga pasuritë tokësore, na mësoi, kështu, se duhet të jemi të thjeshtë, të përvujtë e të pastër, që kur ta lemë këtë botë, ta marrim shpërblimin për dashuri. Të mësojmë nga Shën Françesku për ta jetuar fjalë për fjalë Ungjillin.

Lutja e shën Françeskut
O Zot, më bëj të jem mjet i paqes Sate:
ku ka urrejtje – unë ta sjell dashurinë,
ku ka fyerje – unë ta sjell faljen,
ku ka mospajtim – unë ta sjell bashkimin,
ku ka mashtrim – unë ta sjell besimin,
ku ka dëshpërim – unë ta sjell shpresën,
ku ka terr – unë ta sjell dritën,
ku ka pikëllim – unë ta sjell gëzimin.

O Zot, bëj që mos të kujdesohem aq
që të jem ngushëlluar – sa të ngushëlloj,
që të më kuptojnë – sa t’i kuptoj unë të tjerët,
që të më duan – sa të dua.

Sepse: kush dhuron vetveten – e fiton vetveten;
kush harron vetveten – e gjen vetveten;
kush fal – do t'i falet;
kush i vdes vetvetes – lind për jetën e amshuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.