2016-10-03 15:22:00

Papa: t’i mirëpresim të gjithë si Jezusi, por “jo” indoktrinimit gender


Vizita në Gjeorgji dhe Azerbajxhan, udhëtimet e ardhshme, çështja e ideologjisë “gender” dhe homoseksualiteti, marrëdhëniet me Kinën, kardinajtë e rinj dhe shumë tema të tjera, ishin në qendër të bisedës së Papës Françesku me gazetarët, gjatë udhëtimit të djeshëm të kthimit nga Baku.

Rruga e ekumenizmit

Fillojnë me Gjeorgjinë, përgjigjet e Papës për gazetarët, një tokë, të cilën e quan të krishterë deri në palcë. Edhe vetë Ati i Shenjtë “zbuloi” gjatë vizitës kulturën dhe fenë e lashtë të këtij populli. Papa u prek veçanërisht nga takimi me Patriarkun ortodoks Ilia II, “njeri i Zotit”, siç tha disa herë, i cili “e mallëngjeu”. Françesku theksoi rrugën e ekumenizmit:

“Të lutemi për njëri-tjetrin. Kjo është e rëndësishme: lutja. E së dyti, t’i bëjmë gjërat së bashku: kemi të varfër, të punojmë së bashku për të varfërit; kemi këtë apo atë problem, a mund ta zgjidhim bashkë? Ta bëjmë bashkë. Kemi emigrantët… Le t’i bëjmë bashkë gjërat… T’i bëjmë gjërat mirë për të tjerët. Së bashku. Kaq gjë mund ta bëjmë. E kjo është udha e ekumenizmit”.

Marrëdhëniet Armeni-Azerbajxhan

Përsa u përket problemeve ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, sidomos për çështjen e Nagorni-Karabakut, Papa kërkon dialog të sinqertë, madje, edhe ndërhyrjen e Gjykatës ndërkombëtare të Hagës, për të mos shkuar drejt udhës së luftës:

 “Lufta shkatërron gjithmonë, me luftën humbasim gjithçka! Edhe të krishterët duhet të luten për paqen, që këto zemra njerëzore të hyjnë në udhën e dialogut, të bisedimeve e të guxojnë të trokasin në portën e Gjykatës Ndërkombëtare”.

Homoseksualiteti dhe gender

I pyetur për homoseksualitetin dhe për deklaratën e tij mbi ideologjinë “gender”, Ati i Shenjtë vërejti se në jetën e tij si meshtar, ipeshkëv e madje, edhe si Papë, ka shoqëruar e shoqëron njerëz me prirje homoseksuale:

“Sikur njeriu në këtë gjendje të mbërrinte para Jezusit, Krishti, me siguri, nuk do t’i thoshte: ‘Ik tutje, sepse je homoseksual!’”.

Por nëse është për t’u mirëpritur e për t’u integruar në bashkësi njeriu, ngul këmbë Ati i Shenjtë, nuk është për t’u pranuar teoria “gender” apo gjinore, në devijimin e saj ideologjik. Nuk mund të indoktrinohen fëmijët në shkolla për t’u ndryshuar mendësinë, nënvizoi Papa, duke i quajtur këto forma “kolonizime ideologjike”. Pastaj, dha shembullin e një djali spanjoll, që pati ndryshuar seksin, duke theksuar se duhet ta mbajmë zemrën të hapur:

“Prirjet apo çekulibrimet hormonale shkaktojnë shumë probleme e duhet të kemi kujdes e të mos themi: ‘Njësoj është, s’po pyesim shumë’. Jo, kjo jo! Por, çdo rast duhet shikuar, shoqëruar, studiuar, shoshitur mirë dhe integruar”.

 Këtë, pohoi më pas, do të bënte Jezusi sot. E shtoi, me të qeshur e me të ngjeshur:

“Ju lutem, mos thoni: ‘Papa do t’i shenjtërojë transeksualët!’ Ju lutem, eh?”

E vijoi:

“Dua të jem i qartë. Është problem moral. Është problem. Është problem njerëzor. E duhet zgjidhur ashtu si mundemi, gjithnjë me mëshirën e Zotit, me vërtetësi, siç folëm në rastin e martesës, duke lexuar krejt ‘Amoris Laetitia’, por gjithnjë kështu, gjithnjë zemërhapur”.

Problemet e familjeve 

E këtu, gazetarët e bënë Papën t’u kthehej edhe një herë temave të divorcit, të familjeve të brengosura dhe të sulmeve kundër familjes:

“Imazhi i Zotit nuk është burri: është burri së bashku me gruan. Që janë një trup i vetëm, kur bashkohen në martesë. Kjo është e vërteta. Nga ana tjetër, në këtë kulturë, konfliktet e shumë probleme që nuk zgjidhen si duhet, pastaj edhe filozofitë e sotme – bëj këtë, por kur lodhem, bëj diçka tjetër, pastaj një të tretë e një të katërt – këto përbëjnë atë luftën botërore kundër martesës, për të cilën më pyetët. Duhet të kemi kujdes e të mos i lëmë të hyjnë këto ide brenda nesh”.

Kryesor, për Papën Françesku, është fakti se “fjalën e fundit nuk e ka mëkati, por mëshira hyjnore”. Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të lexojnë Nxitjen apostolike “Amoris Laetitia”, sidomos aty ku shkruhet: “ekziston mëkati, thyerja, por edhe kura, mëshira, shëlbimi”. E Papa përcakton rrugën:

“Me katër kritere: të mirëpresim familjet me probleme, t’i shoqërojmë, të shoshisim çdo rast e t’i integrojmë, e pastaj ta përsërisim rrugën”.

Papa dëshiron të shkojë në Kinë

Të shumta e të gjithanshme pyetjet e gazetarëve. Papa shpjegoi se së shpejti, do të zgjidhen 13 kardinaj të rinj, që u përkasin pesë kontinenteve, që të shihet universaliteti i Kishës. Përsa i përket vizitës në zonat e dëmtuara nga tërmeti në Italinë qendrore, Ati i Shenjtë shpjegoi se së shpejti do të caktohet data – ndoshta të dielën e parë të Ardhjes – e ajo do të jetë vizitë private. Të shumta, udhëtimet ndërkombëtare për vitin e ardhshëm, duke filluar nga Fatima, pastaj India e Bangladeshi, por Françesku nuk konfirmoi as udhëtimin në Afrikë e as atë në Kolombi, lidhur me procesin e paqes. Për Kinën, deklaroi se ka dëshirë të shkojë dhe ritheksoi vlerësimin për atë popull, por sqaroi:

“Marrëdhëniet ndërmjet Vatikanit dhe kinezëve duhen konsoliduar akoma. Po flitet për këtë, dalëngadalë…. Por gjërat e ngadalshme, shkojnë mirë gjithmonë. Gjërat e nxituara nuk shkojnë mirë”.

Deklaratë e njerëzimit për viktimat e luftës

U fol, më pas, për Çmimin Nobel për Paqen, për të cilin përmenden, ndër të tjerë, banorët e ishullit të Lesbos, për mikpritjen e emigrantëve, ose dhe Helmetbardhët e Sirisë, që kanë nxjerrë nga rrënojat, pas bombardimeve, 60 mijë vetë, megjithëse 132 prej tyre kanë humbur jetën. Papa kërkoi njohjen botërore të impenjimit për paqen, jo thjesht përmes një çmimi, por krijimin e asaj ndjeshmërie, që e pati bërë edhe Jezu Krishtin të thoshte “lum veprimtarët e paqes”. Kërkoi edhe një deklaratë të njerëzimit për viktimat e luftës e të bombave: për fëmijët, invalidët, të moshuarit, për dhunën, e cila – nënvizoi Ati i Shenjtë – “është mëkat kundër Jezu Krishtit”:

“Trupi i atyre fëmijëve, i atyre njerëzve të sëmurë, i atyre të moshuarve të pambrojtur, është korpi i Krishtit. Do të ishte e nevojshme që njerëzimi të thotë diçka për viktimat e luftës”.

Së fundi, i pyetur për fushatën zgjedhore në SHBA-të, Papa Françesku nuk mbajti anën e askujt, duke nënvizuar se “populli është sovran”. Por tha edhe se kur në një vend “ka dy, tre, katër kandidatë, që nuk kënaqin askënd, do të thotë se jeta politike e atij vendi është ndoshta tepër e politicizuar, por nuk ka shumë kulturë politike”.








All the contents on this site are copyrighted ©.