2016-10-02 13:19:00

Papa përmend Nënë Terezën në Baku: feja e shërbimi e ndryshojnë botën


Papa Françesku mbërriti sot paradite në Azerbajxhan, ku përfundoi udhëtimi i tij tri ditor në Kaukaz, që e çoi edhe në Gjeorgji. Mesha për bashkësinë e vogël katolike, vizita tek presidenti i Republikës, vizita në monumentin e të rënëve për pavarësi, takimi me autoritetet, takimi privat me shehun e myslimanëve të Kaukazit, takimi ndërfetar me përfaqësuesit e të gjithë feve të Azerbajxhanit: këto, veprimtaritë e sotme të Atit të Shenjtë, para se të nisej për në Vatikan.

Papa përmend Nënë Terezën

Çasti i parë i ditës së sotme qe mesha në kishën e Zojës së Papërlyer në Qendrën saleziane të kryeqytetit Baku, me pjesëmarrjen e një bashkësie shumë të vogël katolikësh, 0,01% në një popullsi 9 milionëshe, ku 88% janë myslimanë e 12% ortodoksë. Nga “toka e zjarrit”, e pasur me naftë, në bregun e Detit Kaspik, ku krishterimi i shekujve të parë i rezistoi valës islamike dhe ateizmit komunist, Ati i Shenjtë foli për shërbimin e krishterë, duke kujtuar shenjten shqiptare, Nënë Terezën, “frytet e fesë e të shërbimit të së cilës, janë mes nesh”, siç theksoi:

“T’i bëjmë tonat disa fjalë të shkëlqyera të saj, që e përmbledhin mesazhin e sotëm. E thotë kështu: ‘Fryti i fesë është dashuria. Fryti i dashurisë është shërbimi. Fryti i shërbimit është paqja’”.

Feja e shërbimi nuk mund të ndahen

Por cili ishte mesazhi i homelisë? Ati i Shenjtë përdori imazhin e tapetit  -mjaft të zakonshëm në ato anë të pëmendura për endjen e qilimave e të pëlhurave – për t’u thënë katolikëve azerë se jeta e krishterë duhet endur çdo ditë me durim e se feja është si tapeti, thuret me shërbimin:

“Çdo tapet, ju e dini mirë, endet me fillin bazë vertikal dhe me fillin gërshetues horizontal; vetëm me këtë strukturë, e tëra rezulton e endur mirë dhe në harmoni. Kështu është edhe për jetën e krishterë: Duhet endur përditë me durim, duke ndërthurur ndërmjet tyre një fill bazë dhe një fill gërshetues të mirëpërcaktuar: fillin e fesë me fillin e shërbimit. Kur feja bëhet nyje me shërbimin, zemra mbetet e hapur dhe e re, madje zgjerohet për të bërë mirë. Atëherë, feja, siç thotë Jezusi në Ungjill, bëhet e pushtetshme dhe bën mrekulli”.

Feja nuk është pushtet magjik

Që më parë, duke u nisur nga leximet e liturgjisë së sotme, Papa Françesku shpjegoi ç’është feja e vërtetë në këtë binon “fe-shërbim”, që e përshkoi krejt homelinë e meshës. Zoti, nënvizoi Ati i Shenjtë e ndryshon botën, duke ndryshuar zemrat tona e këtë nuk mund ta bëjë pa ne. Kjo hapje e zemrës ndaj veprimit të Tij sjell fenë, të cilën nuk është e lehtë për ta pasur:

“Sepse feja, e cila është dhuratë e Zotit e duhet kërkuar gjithnjë, duhet edhe kultivuar nga ana jonë. Nuk është forcë magjike, që zbret nga qielli, nuk është ‘pajë’, që jepet një herë e përgjithmonë e, as ndonjë pushtet magjik, që shërben për të zgjidhur problemet e jetës. Sepse një fe, që plotëson vetëm nevojat tona, do të ishte një fe egoiste, e përqendruar vetëm mbi ne. Feja nuk duhet ngatërruar me mirëqënien, me shëndetin e mirë, ose me ngushëllimin shpirtëror, me paqen e zemrës. Feja është filli i artë, që na lidh me Zotin, gëzimi i pastër se rrimë me Të, se jemi të bashkuar me Të; është dhuratë, që vlen për gjithë jetën, por sjell fryte vetëm nëse bëjmë edhe ne pjesën tonë”.

Shërbimi është gatishmëri e plotë, pa llogari e pa interes

Feja sjell shërbimin. Por ai nuk është thjesht plotësimi i detyrave, që na takojnë, ose kryerja e ndonjë vepre të mirë, nënvizoi Papa Françesku. Ashtu si Jezu Krishti na shërbeu me gatishmëri të plotë, deri në vdekjen në kryq, ashtu edhe ne duhet të jemi krejtësisht të gatshëm për t’u shërbyer të tjerëve, pa llogari e pa interes:

“Pra, nuk jemi të thirrur të shërbejmë vetëm për t’u shpërblyer, por për të imituar Zotin, bërë shërbëtor për hir të dashurisë për ne. E nuk jemi të thirrur të shërbejmë rrallë e për mall, por të jetojmë duke shërbyer. Shërbimi bëhet atëherë stil jete, madje, përmbledh në vetevete krejt stilin e jetës së krishterë: t’i shërbejmë Zotit në adhurim e në lutje; të jemi të hapur e të gatshëm; ta duam konkretisht të afërmin; të veprojmë me hov për të mirën e përbashkët”.

Kujdes nga zemra e vakët e nga aktivizmi i tepruar

Ati i Shenjtë i tha grigjës së vogël të katolikëve azerë të ruhet nga dy rreziqe: nga zemra e vakët, që na bën të kënaqemi me një jetë mediokre dhe, nga aktivizmi i tepruar, që na bën të biem në mëkatin e madhështisë e të pushtetit vetëm për vete. E së fundi nënvizoi:

“Secili prej jush është si një fill i shkëlqyer mëndafshi, por vetëm nëse fijet e ndryshme gërshetohen ndërmjet tyre, krijojnë një kompozim të bukur; të vetëm, nuk hyjnë në punë. Qëndroni gjithnjë të bashkuar, duke jetuar me përvuajtëri, në dashuri e gëzim; Zoti, që krijon harmoni nga ndryshimet, do t’ju ruajë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.