2016-10-02 15:06:00

Papa: mos lini asgjë pa provuar, për paqen në Kaukaz


Pas drekës, Papa Françesku i bëri një vizitë kortezie presidentit të Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Heydar oglu Aliyev dhe vizitoi Monumentin kushtuar të rënëve për pavarësi, në një shesh ku janë varrosur ushtarët azerë dhe turkë, që vdiqën në mbrojtje të qytetit në vitin 1918, por edhe të rënët gjatë manifestimeve kundër ushtrisë sovjetike në vitin 1990 dhe ata të luftës së Nagorno-Karabakut (1992-1994).  Pasi vuri një kurorë lulesh, Ati i Shenjtë, së bashku me presidentin, u zhvendosën në Qendrën Heydar Aliyev, për takimin me autoritetet e vendit, me Trupin Diplomatik dhe me shoqërinë civile.

Mund të dëshmohen idetë personale, pa shtypur të tjerët

Në fjalën e tij, Papa vuri në dukje harmoninë dhe multikulturalizmin, që karakterizon Azerbajxhanin, i cili më 18 tetor feston 25-vjetorin e pavarësisë:

“Kjo përpjekje e përbashkët në ndërtimin e një harmonie ndërmjet ndryshimeve ka kuptim të veçantë në kohët tona, sepse tregon se është e mundur të dëshmohen idetë personale dhe konceptimi personal i jetës, pa shkelur të drejtat e atyre, që kanë koncepte dhe botëkuptime të tjera”.

Kemi nevojë të rritet kultura e paqes

Ati i Shenjtë uroi që Azerbajxhani të ecë në rrugën e bashkëpunimit ndërmjet kulturave dhe feve të ndryshme e pastaj e hodhi vështrimin mbi situatën botërore:

“Bota provon, fatkeqësisht, dramën e shumë konflikteve, që ushqehen nga intoleranca, e nxitur nga ideologjitë e dhunshme e nga mohimi praktik i të drejtave të më të brishtëve. Për t’i kundërshtuar si duhet këto devijime të rrezikshme, kemi nevojë të rritet kultura e paqes, e cila ushqehet me gatishmërinë e vazhdueshme për dialog dhe me vetëdijen se nuk ka alternativë tjetër të arsyeshme, përveç kërkimit këmbëngulës e plot durim të zgjidhjeve të përbashkëta, përmes negociatave të ndershme e të vazhdueshme”.

Paqja në Kaukaz

Papa shprehu afërsinë e tij me njerëzit, që janë detyruar të largohen nga atdheu, për shkak të konflikteve, si për shembull ai për Nagorno-Karabakun, ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit. Në përshëndetjen e tij, presidenti azer i akuzoi armenët për spastrim etnik në atë zonë, për shkak të të cilit, brenda Azerbajxhanit ndodhen rreth 1 milion të shpërngulur. Ati i Shenjtë uroi të hapet një faqe e re:

“Me qëllim që të hapet një fazë e re, drejt paqes së qëndrueshme në rajon, i ftoj të gjithë të mos lënë asgjë pa provuar, që të arrihet një zgjidhje e përshtatshme. Kam besim se me ndihmën e Zotit e përmes vullnetit të mirë të palëve, Kaukazi do të jetë vendi ku, përmes dialogut e negociatave, do të kapërcehen kundërshtitë dhe divergjencat, në mënyrë që kjo zonë, ‘portë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit’, sipas imazhit të bukur, përdorur nga shën Gjon Pali II, kur vizitoi vendin tuaj, të bëhet edhe portë e hapur për paqen dhe shembull për t’u ndjekur në zgjidhjen e konflikteve të lashta e të reja”.

Kisha Katolike, premtoi Papa, duke lavdëruar marrëdhëniet e mira me bashkësitë e tjera fetare, nuk do të mungojë të japë kontributin e vet, sado të vogël. Ati i Shenjtë vuri në dukje marrëdhëniet e mira me myslimanët, me ortodoksët dhe me hebrenjtë, feja e sinqertë e të cilëve bën që të gjithë së bashku t’u vënë fre atyre, që duan ta përdorin emrin e shenjtë të Zotit për dhunë e terror.








All the contents on this site are copyrighted ©.