2016-10-02 14:43:00

Papa: kemi një luftë botërore kundër martesës, gender është një armik i madh kundër martesës


“Duhet të bëjmë gjithçka për të shpëtuar martesën”. Kjo është ftesa e Papës Françesku drejtuar meshtarëve, rregulltarëve e përfaqësuesve të Këshillave baritor të famullive kishtare, në takimin e djeshëm që u mbajt në Kishën e Zojës së Madhe në Tbilisi, Kishë e mbyllur në periudhën sovjetike e shuguruar përsëri në vitin 1999. I fortë, në fjalim të Papës, denoncimi kundër teorisë gender, ndërsa ripohoi të mos bëhet prozelitizëm me ortodoksit dhe nënvizoi rëndësinë e fesë së transmetuar nga gjyshet e nënat.

Një fjalim baritor ai që Papa Françesku ia drejtoi dje klerit e besimtarëve laikë, në Gjeorgji, jashtë tekstit të përgatitur, për t’u përgjigjur në mënyrë konkrete ndërhyrjeve të mëparshme që u bënë nga një e re, nga një nënë, nga një seminarist dhe një prift. Dëshmitë, fjalët dhe pyetjet e tyre qenë një fotografi e Kishës katolike gjeorgjiane, e cila është pakicë me afër 2,5 për qind të popullsisë, e përbëhet nga besimtarët e ritit latin, armenë e asiro-kajdeas.

“Martesa është gjëja më e bukur që Zoti ka krijuar”, “burri e gruaja që bëhet një trup i vetëm janë imazhi i Zotit”, tha Papa duke iu përgjigjur Irinës, e cila në fjalën e saj pati folur mbi vështirësitë e shumta që has martesa sot. Së bashku me familjet ortodokse, jemi të përfshirë në vorbullën e problemeve botërore si “vizionet e reja të seksualitetit, si teoria gender”, tha Irina. E Papa Françesku në fjalimin e tij u përgjigj në mënyrë të qartë mbi këtë pik:

“Përmende një armik të madhe të sotëm kundër martesës: teoria  gender. Sot ekziston një luftë botërore që synon për të shkatërruar martesën. Sot – nuk shkatërrohet më me armë, por shkatërrohet me ide – kemi kolonializime ideologjike që shkatërrojnë”.

Papa Françesku përfitoi nga rasti për të nënvizuar se “kur divorcohet një trup i vetëm, ndyhet imazhi i Zotit”. “ E paguan Zoti” dhe e “paguajnë fëmijët” pasojën e divorcit. “Sa shumë vuajnë” fëmijët e vegjël, kur i shohin prindërit e tyre duke u grindur dhe duke u ndarë, pohoi Papa Bergoglio duke sqaruar se cila është, në këto raste, detyra e Kishës: “E si të ndihmohen çiftët martesor? Ndihmohen me pritje, me afërsi, duke i shoqëruar në çastet e vështira të jetës së tyre bashkëshortore me dritën e fesë, duke shqyrtuar gjithçka në lutje e duke i integruar në komunitet”.

Është normale të grindesh, por nuk duhet të përfundoi dita pa u pajtuar, sepse “lufta e ditës bëhen e rrezikshme pastaj”. Për ta çuar mirë përpara martesën, duhet t’i kujtojmë këto tri “fjalë të arta”: “A mundem?”, “faleminderit” dhe “kërkoj falje”.

Qendror në fjalimin e djeshëm të Papës ishte edhe ekumenizmi, për çka Atin e Shenjtë e pati pyetur një seminarist. E Papa foli mbi temën e marrëdhënieve të ndërlikuara ndërmjet katolikëve e ortodoksëve në Gjeorgji dhe, porositi klerin e katekistët: “Çka duhet të bëj unë me një mik, me një të afërm, me një person ortodoks? Të jesh i hapur, të jesh mik. Po a duhet të konvertoj me forcë? Ekziston një mëkat i madh kundër ekumenizmit: prozelitizmi: kurrë të mos bëhet prozelitizëm me ortodoksit! Janë vëllezërit tanë. Në saje të situatave historike të ndërlikuara jemi ndarë kështu, por si ata e po kështu edhe ne besojmë në Atin, në Birin e në Shpirtin Shenjt, në Nënën e Shenjtë të Hyjit, e çka duhet të bëjë? Të mos dënoj. Miqësia, ecja së bashku, lutja për njëri-tjetrin, e pastaj të bëjmë vepra bamirësie, t’i bëjmë bashku kur është e mundshme. Ky është ekumenizmi. Mirëpo, kurrë të mos e dënojmë vëllain apo motrën, kurrë mos të lëmë pa i përshëndetur pse janë ortodoksë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.