2016-10-01 12:16:00

Papa gjatë Meshës në Tbilisi: t'ia hapim zemrën ngushëllimit të Zotit që na dhuron paqen


Në ditën e dytë të vizitës në Gjeorgji, Papa Françesku sot paradite kremtoi Meshën në stadiumin Meskhi të Tbilisit, në praninë e autoriteteve civile gjeorgjane, përfaqësuesve të Patriarkanës ortodokse të Gjeorgjisë, të Patriarkut e të Sinodit kaldeas, të një delegacionit të madh të Kishës armene katolike e të komuniteteve tjera të krishtera.

“Ndër thesaret e shumta të këtij vendi të mrekullueshëm, del në pah vlera e madhe e grave, tha Papa e shtoi: Ato – shkruante Shën Tereza e Jezusit Fëmijë, përkujtimin e së cilës e bëjmë sot –  e duan Zotin me numër shumë më madh se burrat” (Shkrimet autobiografuke, Dorëshkrimi A. VI). Këtu në Gjeorgji ka kaq shumë gjyshe e nëna që vazhdojnë ta ruajnë e ta transmetojnë fenë, mbjell në këtë tokë nga Shën Nina, dhe sjellin ujin e freskët të ngushëllimit të Zotit në aq shumë situata shkretëtire e konflikti.

Kjo na ndihmon të kuptojmë bukurinë e asaj që Zoti thotë në leximin e parë të Meshës: “Porsi nëna që ngushëllon të birin, ashtu unë do t’ju ngushëlloj” (Iz 66,13). Porsi një nënë që merr mbi vete peshën dhe mundin e bijve të vetë, kështu Zoti ngarkohet me peshën e mëkateve tona e të shqetësimeve tona; Ai, që na njeh e na do pambarimisht, është i ndjeshëm ndaj lutjes sonë dhe di të na i fshij lotët . Duke na vështrua, çdo herë mallëngjehet e zbutët, me një dashuri amnore, sepse, përtej së keqes që ne jemi të aftë të bëjmë, mos të harrojmë se jemi gjithmonë bijtë e tij; Hyji dëshiron të na merr në krahë, për të na mbrojtur, për të na liruar prej rreziqeve e prej së keqes. Le të jehojnë në zemrën tonë këto fjalë që sot na drejtohen: “Porsi një nënë, unë do të ju ngushëlloj”.

Ngushëllimi për të cilin kemi nevojë, në mesin e ngjarjeve të stuhishme e të turbullta të jetës sonë njerëzore, është pikërisht prania e Zotit në zemër. Sepse prania e Tij në ne është burim i ngushëllimit të vërtetë, që qëndron, që liron prej së keqes, sjell paqen dhe shton gëzimin”.

“Për këtë, nëse duam të jetojmë të ngushëlluar, duhet t’ia krijojmë vendin Zotit në jetën tonë. E që Zoti të banojë përherë në ne, duhet t’ia hapim portën e mos ta lëmë jashtë. Ekzistojnë porta të ngushëllimit, të cilat duhet t’i mbajmë përherë të hapura, sepse Jezusi ka dëshirë e madje do të hyjë e të kalojë nëpër to: Ungjilli i lexuar çdo ditë dhe i bartur me vete, lutja në heshtje e në adhurim, Rrëfimi, Eukaristia. Përmes këtyre portave Zoti hyn dhe u jep gjërave shije e kuptim të ri. Mirëpo, kur porta e zemrës mbyllet, drita e Tij nuk depërton e kështu zemra mbetët në errësirë. Atëherë mësohemi me pesimizëm, me gjërat që nuk shkojnë, me realitetin që nuk ndryshon kurrë. E kështu së fundi mbyllemi në trishtim, në mjediset e nëndheshme të ankthit, të vetëm e të mbyllur brenda nesh. Por, nëse ia hapim portat ngushëllimit, drita e Zotit hyn” e atëherë gjithçka ndryshon.

Papa Françesku e mbylli homelinë e Meshës, kremtuar në stadiumin Meskhi të Tbilisit, me fjalët e shën Terezës së Krishtit Fëmijë, të cilën Kisha e përkujton sot: “Ajo na tregon ‘udhën e saj’ të vogël drejt Zotit, “braktisjen e fëmijës së vogël, të cilin e zë gjumi pa frikë në krahët e babait të vet’, sepse mos të harrojmë se ‘Jezusi nuk kërkon gjeste të mëdha prej nesh, por vetëm të lëshohemi në duar të tij dhe të jemi mirënjohës’. T’ia kërkojmë sot Zotit, të gjithë së bashku, hirin e zemrës së thjeshtë, që beson e jeton me forcën e butë të dashurisë; t’i kërkojmë  që të mund të jetojmë me qetësi, me paqe e besim të plotë në mëshirën e Hyjit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.