2016-10-01 13:39:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të gjatë vitit kishtar “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 27-të gjatë viti kishtar ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Argumenti kryesor i Leximeve biblike të kësaj së diele është feja, forca dhe gëzimi i fesë. Po kështu, leximet biblike na ofrojnë edhe argumente tjera të një rëndësie tejet të madhe si: problemi i së keqes, feja dhe efikasiteti i saj, feja dhe shpërblimi.

Shpëtimtari i popullit të vet, Hyji kërkon besimin e plotë në të dhe dëgjimin e zërit të tij. Një kokërr e fesë – na siguron Jezusi në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele – mjafton për të fituar mrekulli. Të vetëdijshëm për fenë e pakët dhe të dobët, nxënësit i kërkojnë Jezusit: “Shtoje në ne fenë”.

Kështu mund të dëgjoni programin kushtuar liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele …

Kështu Fjala e Zotit e kësaj së diele, na fton ta kuptojmë e dëshmojmë fenë në Zotin. Feja nuk është një seri së Vërtetash për t’u besuar, por është takim me një njeri: me Jezu Krishtin. Krishti bëhet qendër e jetës së besimtarit, kur njeriu takohet me Të dhe zbulon se cilat janë të vërtetat për t’u besuar. E të takosh Krishtin do të thotë të kuptosh se mjafton feja e madhe sa një kokërr e senapit, për t’i dhënë jetës shijen, kuptimin e cakun.

Një mistik i mesjetës, Angjelo Silezio pat thënë: “Shpendi pushon në ajër, guri mbi tokë, peshku në ujë, e unë në duart e Zotit”. Për të kuptuar mirë domethënien e mesazhit të Fjalës së Zotit të kësaj së diele, duhet të nisemi nga pohimi, që përmban leximi i parë nga Habakuhu (Hb 1,2-3;2,2-4), i cili thotë: “i drejti jeton në saje të fesë së vet!”

Pra, profeti Habakuk na kujton se “ i drejti do të jetojë në saje të fesë e të besnikërisë së vet”, çka do të thotë që do të jetojë duke i shërbyer besnikërisht Zotit dhe duke u mbështetur plotësisht në gjithpushtetësinë e Tij, në drejtësinë me të cilën Ai i udhëheq ngjarjet e historisë.
Kjo fe, sipas pjesës së Ungjillit marr nga Luka (Lk 17,5-10), na ndihmon e jep forcë në vështirësitë e jetës, na orienton drejt të mirave Hyjnore, që sipas Jezusit: “asgjë nuk është e pamundur për atë që beson”. Po vet Ungjilli, në shëmbëlltyrën e shkurt të Mësuesit Hyjnor, na mëson se si duhet të paraqitemi para Atit Qiellor: plotë fe dhe me bindje se asgjë nuk na takon sipas meritës e së drejtës sonë, por çdo gjë është dhe do të jetë dhuratë e Mirësisë Hyjnore.
Feja është bashkim personal me Zotin, është pranim i Shpirtit të Tij, Shpirtit të së vërtetës e të mirës, deri në përvetësimin e vështrimit të Tij e të veprimeve të Tija. Feja jonë është ajo përmes së cilës do të mund të mposhtim të keqën e madje edhe vdekjen. Jezu Krishti Zot na pasuron e përforcon me këtë fe, e ne na takon t’ia kërkojmë këtë dhuratë të çmueshme, në mënyrë që feja jonë në Hyjin Atë të përforcohet gjithnjë e më tepër. Feja është bashkim me Zotin, me Jezusin, me Ungjillin. Vetëm kështu mund të jemi në përkim të plotë me Shpirtin e Zotit dhe me propozimet e Krishtit Shëlbues, në Të cilin kemi udhën e jetës dhe lumturinë.

            Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Hab 1, 2-3; 2, 2-4
Një popull i huaj shtyp popullin hebraik. Si të durosh që feja e besimtarëve të dështojë nga pushtuesit paganë? Duhet të kalojnë shumë breza, para se besimtarët të mësojnë të dialogojnë me jobesimtarët.
Duhet të kalojnë shekuj para se Ungjilli tu propozohet paganëve dhe ata të pranojnë besimin. Ajo që përkufizon të drejtin nuk është suksesi apo fitorja e besimit të tij, por qëndrueshmëria e tij në besim.

Lexim prej Librit të Habakukut profet
Deri kur do të thërras në ndihmë, o Zot, e ti nuk do të dëgjosh? “Dhunë!” – do të klith kah ti, e ti nuk do të më shpëtosh? Pse ma qet para ta shikoj padrejtësinë e ti vetëm e kundron dhunën? Para meje është shkretim e dhunë, bëhet rragatje e peshë çohet grindja!
Zoti atëherë më gjegji e më tha: “Shkruaje vegimin, zgavërroje përmbi rrasëza që lexuesi ta lexojë rrjedhshëm. Është vegim për kohë të caktuar, kah përmbushja shkon, nuk rren; nëse vonon, prite me shpresë, se do të vijë e s’do të vonojë! Sharron ai që i drejtë s’është në shpirt: në saje të fesë së vet jeton i drejti!” Fjala e Zotit.

Psalmi 95
O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd

----- ----- -----
Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje,
t’i këndojmë këngë hareje!
----- ----- -----
Ejani ta adhurojmë,
të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij, grigja që ai e ruan.
----- ----- -----
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
----- ----- -----

Leximi i dytë 2 Tim 1, 6-8.13-14
Jezusi nuk u ka thënë kurrë apostujve të tij se të shpallësh Ungjillin është si të bësh një shëtitje. Por është normale të vuash për Ungjillin. Është e nevojshme të shpallësh Ungjillin pa frikë, të mbrosh besimin e transmetuar nga apostujt.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, të përkujtoj ta ringjallësh dhuratën e hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia. Sepse Hyji nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë.
Prandaj mos të vijë marre ta dëshmosh Zotin tonë as mua të burgosurin e tij, poq hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit. Ki për normë fjalët e shenjta që i ke dëgjuar prej meje në fe e në dashuri që është në Krishtin Jezus. Ruaje, me ndihmën e Shpirtit Shenjt që banon në ne, visarin e paçmueshëm të fesë që t’u besua.Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Ndriçoni porsi pishtarë në botë, duke e mbajtur lart Fjalën e Jetës.
Aleluja.

Ungjilli Lk 17, 5-10
Në këtë shëmbëlltyrë duket se Jezusi na paraqet fytyrën e një Hyji shumë të ashpër dhe kërkues përballë lodhjes së shërbëtorëve të vet.
Por Jezusi do të denoncojë falsitetin që banon në skutat më të fshehta të zemrës sonë. Farisenjtë punojnë shumë, por llogarisin të drejtat dhe meritat që kanë para Hyjit për veprimet e tyre të mira. Llogaritë njerëzore nuk kanë vlerë para syve të Zotit. Ai do vetëm pak besim, edhe pse e vogël si një kokërr sinapi.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, apostujt ia drejtuan Zotërisë këtë lutje: “Na e shto fenë!”
Zotëria u tha: “Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mali: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ – e ai do t’ju dëgjonte.
Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan dhentë, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: ‘Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!’ A thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: ‘Bëje gati darkën, ngjishu e më shërbe sa të ha e të pi unë një herë e pastaj ha e pi edhe ti!?’ A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua? Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë’.” Fjala e Zotit.

Kështu mund të dëgjoni programin kushtuar liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele …

 








All the contents on this site are copyrighted ©.