2016-09-30 14:00:00

Papa në Pallatin Presidencial: dallimet të mos shndërrohen në konflikte


Pas vizitës së kortezisë tek presidenti i Republikës, në 25-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, Papa Françesku u takua, gjithnjë në Pallatin presidencial, me autoritetet politike e fetare, me Trupin Diplomatik dhe me përfaqësues të shoqërisë civile e të kulturës. Presidenti Giorgi Margvelashvili përshëndeti Atin e Shenjtë e menjëherë pas, Papa falenderoi dhe u kujtoi të gjithëve zanafillën e identitetit të popullit gjeorgjian, në predikimin e shën Ninës, apo Kristinës, në shekullin IV. Gruaja, e huaj e burgosur në Gjeorgji, e bindi mbretin e Iberëve, Mirian, të kthehej në krishterim në vitet 334-335, duke i vënë kështu vulën e krishterë kulturës dhe jetës së vendit. Këtë identitet vuri në dukje Papa:

         “Historia shumëshekullore e atdheut tuaj tregon rrënjosjen në vlerat, që shprehen nga kultura, gjuha dhe traditat e tij, duke e futur vendin, me plot të drejtë e në mënyrë të frytshme e të veçantë, në hullinë e qytetërimit evropian; njokësisht, siç shihet nga pozicioni gjeografik, ai është urë natyrore ndërmjet Evropës dhe Azisë, hallkë që lehtëson komunikimin dhe marrëdhëniet ndërmjet popujve, që gjatë shekujve, ka mundësuar si tregtinë, ashtu edhe dialogun e konfrontimin e ideve e të përvojave nga botë të ndryshme”.

Paqja, e vështirë, por e domosdoshme

         Kaukazi është zonë e rëndësishme për fenë e krishterë, për shkak të dialogut me fetë e tjera, që janë shumicë, por edhe për ekuilibrat politike. Turqia, Rusia, Lindja e Mesme janë krejt afër e paqja me Republikën autonome të Abkacies nuk është e lehtë. Por secili duhet të japë kontributin e vet për ruajtjen e demokracisë e të paqes, nënvizoi Ati i Shenjtë:

         “Uroj që udha e paqes dhe e zhvillimit të vijojë me impenjimin solidar të gjithë anëtarëve të shoqërisë, për të krijuar ato kushte qëndrueshmërie, barazie dhe respekti të ligjit, që favorizojnë rritjen dhe shtimin e mundësive për të gjithë”.

Në tepër vende të tokës mbizotëron logjika e dhunës

         E Papa Françesku, i vetëdijshëm se kishte përpara Trupin Diplomatik, e shtriu horizontin, duke kërkuar marrëdhënie të barabarta ndërmjet të gjitha shteteve, në shërbim të bashkëjetesës konkrete e paqësore. Ati i Shenjtë denoncoi:

         “Në tepër vende të tokës, duket se mbizotëron një logjikë, e cila e bën të vështirë ruajtjen e ndryshimeve të ligjshme dhe mbajtjen e mosmarrëveshjeve – që gjithnjë mund të lindin – në kuadrin e konfrontimit dhe të dialogut civil, ku të mbizotërojnë arsyeja, vetëpërmbajtja dhe përgjegjësia. Kjo është edhe më e nevojshme në çastin e tanishëm historik, kur nuk mungojnë esktremizma të dhunshme, që i manipulojnë dhe i deformojnë parimet me natyrë civile e fetare, për t’i vënë në shërbim të planeve të errta për dominim dhe vdekje”.

Dallimet nuk duhen përdorur për t’i shndërruar divergjencat në konflikte

         Të gjithë duhet ta kenë për zemër fatin e njeriut, kërkoi Papa. Dallimet etnike, gjuhësore, politike apo fetare nuk duhen përdorur për t’i shndërruar divergjencat në konflikte e më pas, në tragjedi pa fund. Ato janë dhe mbeten pasuri, në favor të së mirës së përbashkët. Ati i Shenjtë vuri theksin në krijimin e mundësive që secili të jetojë në paqe në atdheun e vet, ku të mund të kthehet lirisht, nëse është detyruar të ikë:

         “Uroj që përgjegjësit politikë të vazhdojnë ta kenë për zemër gjendjen e këtyre njerëzve, duke u impenjuar të gjejnë zgjidhje konkrete, edhe jashtë çështjeve të pazgjidhura politike. Nevojitet largpamësi dhe guxim për ta njohur të mirën e vërtetë të popujve dhe për ta arritur me vendosmëri e kujdes, duke pasur gjithnjë parasysh vuajtjet e njerëzve…”.

         Kisha Katolike, përfundoi Papa, nuk do të mungojë në këtë takim me historinë, duke dhënë kontributin e vet në zhvillimin e shoqërisë gjeorgjiane, falë dëshmisë dhe impenjimit për më nevojtarët e përmes dialogut me Kishën e lashtë Ortodokse Gjeorgjiane e me bashkësitë e tjera fetare të vendit.








All the contents on this site are copyrighted ©.