2016-09-30 17:22:00

Nga Gjeorgjia, lutja e Papës për paqen: mjaft me dhunë në Siri e Irak


Në përfundim të ditës së sotme në Gjeorgji, Papa Françesku shkoi për t’u lutur në kishën e Shën Simonit Bar Sabbae, në Tbilisi, së bashku me rreth 300 besimtarë asiro-kaldeas, ardhur nga e gjithë bota. Është pikërisht diaspora ajo, që ka kontribuar në ndërtimin e kësaj kishe, shuguruar në tetor të vitit 2009. Kujtojmë se katolikët gjeorgjianë janë vetëm 2,5% e popullsisë, shumica e së cilës është ortodokse. Shenjti, të cilit i kushtohet kisha, ka qenë Katolikos i Kishës Asiro-Kaldease nën perandorinë persiane. U martirizua të Premten e Madhe të vitit 341, së bashku me mijëra martirë të krishterë, të njohur si martirë persianë. Ngjitur me kishën, në një qendër edukative, asiro-kaldeasit mësojnë traditat e tyre të lashta fetare e kulturore, përfshirë gjuhën aramaike, folur nga Krishti. Ky vend kulti është pikë referimi edhe për asirët e fshatit të afërt Dzveli Kanda, ngulimi më i lashtë e më i madh asir në Gjeorgji.

Këtu, Papa Françesku, i pritur nga Patriarku i Babilonisë së Kaldejve dhe nga famullitari, u lut:

O Zot, Jezu Krisht

adhurojmë kryqin tënd,

që na liron nga mëkati, zanafillë e çdo ndarjeje dhe e çdo të keqeje;

kumtojmë ngjalljen Tënde,

që e shpëton njeriun nga skllavëria e dështimit dhe e vdekjes;

presim ardhjen Tënde në lavdi,

që sjell mbretërinë Tënde të drejtësisë, të gëzimit e të paqes.

 

O Zot, Jezu Krisht

për mundimet e Tua të lavdishme,

fito mbi ngurtësinë e zemrave, pengje të urrejtjes e të egoizmit;

për fuqinë e ngjalljes Tënde,

këputi zinxhirët e viktimave të padrejtësisë e të shtypjes;

për sigurinë e ardhjes Tënde,

bëje të humbasë kulturën e vdekjes dhe bëj të shkëlqejë sërish triumfi i jetës.

 

O Zot, Jezu Krisht

bashkoji në kryqin Tënd vuajtjet e sa e sa viktimave të pafajshme:

fëmijët, të moshuarit, të krishterët e persekutuar;

mbështilli me dritën e Pashkëve të plagosurit në shpirt:

njerëzit e abuzuar, të privuar nga liria dhe nga dinjiteti;

bëj ta provojnë forcën e mbretërisë Tënde atyre, që jetojnë në pasiguri:

të shpërngulurit, refugjatët, ata, që e kanë humbur shijen e jetës.

 

O Zot, Jezu Krisht

shtrije hijen e kryqit Tënd mbi popujt në luftë:

të mësojnë udhën e pajtimit, të dialogut e të faljes;

bëj ta shijojnë gëzimin e ngjalljes Tënde, popujt e rraskapitur nga bombat:

shpëtoje nga shkatërrimi Irakun dhe Sirinë;

mblidhi nën mbretërimin tënd të ëmbël bijtë e tu të shpërndarë kudo:

mbështeti të krishterët e diasporës dhe dhuroju atyre bashkimin e fesë e të dashurisë.

 

O Virgjër Mari, mbretëreshë e paqes,

ti, që ke qenë në këmbët e kryqit,

nxirr prej Birit tënd faljen e mëkateve tona;

ti, që nuk dyshove kurrë për fitoren e ringjalljes,

mbështete fenë dhe shpresën tonë;

ti, që ulesh si mbretëreshë në lavdi,

na mëso privilegjin mbretëror të shërbimit dhe lavdinë e dashurisë.

Amen. 








All the contents on this site are copyrighted ©.