2016-09-30 12:00:00

Kisha katolike në Shqipëri drejt Lumnimit të 38 martirëve të periudhës së diktaturës komuniste


Kisha katolike shqiptare e në mënyrë të veçantë Kisha katolike në Shqipëri, po përgatitet për kremtimin e Lumnimit të 38 martirëve që kanë pësuar martirizim në periudhën e errët të komunizmit ateist në Shqipëri.
Ipeshkvijtë e dioqezave katolike të Shqipërisë, në letrën e tyre qarkore njoftojnë besimtarët, priftërinjtë, rregulltarë, motrat rregulltare dhe të gjithë qytetarët për këtë ngjarje të jashtëzakonshme hiri e bekimi Hyjnor për Kishën dhe mbarë popullin shqiptar. Ndër 38 martirët e Kishës katolike shqiptare,  që do të lartohen në nderimet e altarit më 5 nëntorin e ardhshëm, gati të gjithë kanë qenë priftërinj (ose klerikë), katër prej tyre kanë qenë besimtarë laikë: një vajzë dhe tre burra.
Në vijim po e lexojmë letrën qarkore të Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë mbi Lumnimin e 38 martirëve të Kishës katolike shqiptare:

LETËR QARKORE E KONFERENCËS IPESHKVORE E SHQIPËRISE DREJTUAR MESHTARËVE, RREGULLTARËVE DHE RREGULLTREVEDHE TË GJITHË BESIMTARËVE

Fort të dashur,

I jemi shumë mirënjohës Zotit i cili sivjet na ka mbushur me shumë gëzim kur, nëpërmjet Papa Françeskut, ka ngritur emrin e së Lumes Tereza ndër emrat e shenjtërve të Kishës. Dhe sikur kjo nuk mjaftonte, pas disa ditësh Kisha do të shkruajë në albumin e te Lumnive emrat e tridhjetë e tetë katolikëve që kanë pësuar martirizim në periudhën e errët e komunizmit ateist.

Shën Toma Akuini përkufizon martirizimin si “derdhjen e gjakut të dikujt për hir të Krishtit” dhe si “qëndresën e duhur ndaj vuajtjeve të shkaktuara padrejtësisht”. Fjala “martir” do të thotë “dëshmitar”. Prandaj martiri është ai që jep dëshmi të besimit të tij. Jezusi tha: “Dashuri më të madhe nuk ka, sesa ajo e një njeriu që jep jetën për miqtë e tij” (Gjn 15, 13). Kështu martirizimi është shfaqja më supreme e dashurisë së Krishtit. Papa Gjon Pali II ka deklaruar se martirizimi i krishterë “i ka shoqëruar gjithmonë dhe vazhdon të shoqërojë jetën e Kishës, edhe sot”.

Komunizmi që, për gati një gjysmë shekull, ka sunduar Shqipërinë shfaqi një urrejtje të veçantë ndaj katolikëve. Në një bisedë që Enver Hoxha dha në Konferencën e Pezës, në vitin 1984, ai tha: “Hierarkët katolikë ishin njerëz pa atdhe, vareshin plotësisht nga Vatikani … Të gjithë hierarkët e kishës katolike … ishin të mësuar, të shkolluar me shkollë teologjike, me disiplinë të hekurt, me metodat dhe dredhitë e shtypjes së vullnetit të njerëzve me frikën e zotit … Kisha katolike dhe hierarkia e saj ishin në kulm obskurantiste, konservatore … gjithmonë në aleancë me regjimin reaksionarë …” Janë fjalë që tregojnë paragjykimet e tij kundër Kishës Katolike.

Toka shqiptare u lag me gjakun e martirëve. Por sot gëzohemi se, më 5 nëntor, Kisha do të ngre mbi altarët tona tridhjetë e tetë martirë të vrarë në atë periudhë të tmerrshme. Të gjithë këta ishin priftërinj (ose klerikë), me përjashtim të katër laikëve: një vajzë, Marije Tuci, e vrarë barbarisht sepse ajo ishte kandidate e Motrave Stigmatine dhe katekiste; dhe tre burra, Mark Çuni, Qerim Sadiku dhe Gjelosh Lulash. Renditur i pari në mesin e dëshmorëve është Vinçenc Prendushi, ipeshkvi i fundit i Durrësit. Ai u akuzua si “armik i popullit”, “reaksionar”, “spiun i Vatikanit”, dhe i dënuar për njëzet vjet burgim, ku ai ishte torturuar, fyer dhe poshtëruar në shumë mënyra të ndryshme, derisa ai vdiq.

Në një fjalim të tij, Papa Pali VI pyeti: “Çfarë nevoje ka Kisha sot?” Dhe ai u përgjigj se në rrethanat e tanishme “Kisha ka nevojë për burra të fortë”, që është, njerëz të pajisur me virtytin e guximit. Shën Pali kishte paralajmëruar tashmë të krishterët e Romës: “Dhe mos u konformoni me këtë botë”, që nënkupton se jeta e krishterë gjithmonë nënkupton një luftë kundër një mentaliteti i një bote që përpiqet ta përjashtojë Zotin.

Të dashur vëllezër e motra, Kisha ka nevojë për dëshminë tuaj. Kisha ka nevojë që disa të rinj dhe të reja të kushtohen Zotit në jetën meshtarake dhe rregulltare. Shoqëria, veçanërisht sot, ka nevojë për dëshminë tuaj. Kini parasysh shembullin e martirëve tanë. Fjalët e fundit të tyre ishin: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria!” Dashuria besnike ndaj Zotit na mëson si të duam atdheun, so të duam të tjerët, po ashtu edhe si të duam vetveten. Sepse njeriu nuk mund ta mohojë Zotin pa njëkohësisht mohuar vetveten. Pra të angazhohemi për të qenë qytetarë të mirë dhe të drejtë në familjen, në shkollë, në çdo sektor e jetës edhe në politikë. Tregohuni të fortë në besimin tuaj, që nëpërmjet nesh bota të mësojë të respektojë jetën njerëzore që nga ngjizja deri në vdekje dhe të angazhohet për atë drejtësi që është themeli i një paqeje të vërtetë dhe të qëndrueshme.

Ju presim te merrni pjesë në kremtimin e Lumnimit të të martirëve tanë të shtunën më 5 nëntor, në Shkodër në orën 10.00.

Ju përcjellim me bekimin tonë baritor.

Ipeshkvij tuaj








All the contents on this site are copyrighted ©.