2016-09-29 15:41:00

Radio Vatikani dhe QTV kremtojnë së bashku festën e Shën Gabrielit


Në festën e sotme të Shën Gabrielit Kryeengjëll, pajtor i Telekomunikimeve, u kremtua paradite në Romë, në kishën e Shën Marisë në Transpontinë, një meshë e kryesuar nga Sekretari i përgjithshëm i Guvernatoratit të Vatikanit, imzot Fernando Vérgez Alzaga. Më pas, siç është tashmë traditë, u nderuan me çmime disa nga punonjësit e Radio Vatikanit dhe të Qendrës Televizive të Vatikanit.

Qe rasti i parë, në të cilin shihej qartë shkrirja e Radios së Papës me Qendrën Televizive, siç theksoi prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, që përshëndeti, në fillim të meshës, punonjësit, pensionistët dhe familjarët e tyre, nga të dyja emitentet. Ashtu si Shën Gabrieli, nënvizoi gjatë homelisë imzot Fernando Vérgez Alzaga, qofshi gjithnjë lajmëtarë të Fjalës së Zotit:

“Të jeni të përvujtë, lëreni mënjanë xhelozinë, karrierizmin, dëshirën për të qenë protagonistë me çdo kusht. Objektivi i vërtetë është shërbimi besnik ndaj Papës dhe Kishës. Të jeni dëshmitarë dhe komunikatorë jo vetëm shpirtërorë, por edhe materialë në botë. Është privilegj të jesh në shërbim të botës, t’i bësh pjesëmarrës në ngjarjet e këtushme vëllezërit tanë, që ndodhen në çdo kënd të globit, përmes fotografive, artikujve, imazheve, videove, emisioneve të drejtpërdrejta televizive… Me një fjalë, jeni një mjet i rëndësishëm për të afërmin!”

Pas Meshës, e gjithë bashkësia u mblodh në festë në Sallën Shën Piu X. Duke bërë nderimet e rastit, imzot Viganò sqaroi: “Secili prej jush vlen shumë” e këto çmime jepen për të konfirmuar, ose për t’i nxitur njerëzit që të vijojnë ta bëjnë mirë punën e tyre, si edhe për të falenderuar dikë, në mënyrë të veçantë.

 Për Radio Vatikanin, u nderuan me tituj Stephan Von Kempis (programi gjerman), Janeth Mhella Thabita (programi afrikan në anglisht), Gianni Di Francesco (drejtoria administrative) dhe Sergio Salvatori (drejtoria teknike). Për Qendrën Televizive të Vatikanit: Renzo Alocci (drejtor teknik) dhe Cesare Cuppone (telekameramani i parë papnor).








All the contents on this site are copyrighted ©.