“Të jemi engjëj për njëri-tjetrin”. Njerëzit duhet të bëhen engjëj për njëri-tjetrin”. Këtë na kujton Kisha në festën e tre Kryeengjëjve: Mikelit, Gabrielit e Rafaelit. Këta janë lajmëtarë ndërmjet qiellit e tokës, ndërmjet madhështisë së Zotit dhe nevojave e mjerimit të bijve të ti: si Mikeli, i cili i krijon Zotit hapësira në shpirtin e njeriut që nganjëherë tundohet të largohet nga Hyji; si Gabrieli, që e çon Krishtin në zemrën e njeriut; si Rafaeli, mjeku që pastron dashurinë ndërmjet personave e që shëron verbërinë e njeriut, i cili nuk është në gjendje t’i shikojë punët e qiellit. Këtë thekson liturgjia e festës duke na shpjeguar se engjëjt janë lajmëtarë të Hyjit, ata ia sjellin Zotin njerëzve, hapin qiellin e kështu hapin edhe tokën. Pikërisht nga që rrinë pranë Zotit, engjëjt mund të qëndrojnë edhe pranë njeriut. Hapin qiellin e tokën e i tregojnë njeriut kush është në të vërtetë, i zbulojnë atë, që nganjëherë është e fshehur dhe e varrosur në shpirtin e tij. I bëjnë thirrje të hyjë në vetvete, duke e prekur nga ana e Zotit. Në këtë edhe ne duhet të bëhemi vazhdimisht engjëj për njeri-tjetrin, engjëj që na largojnë nga rrugët e gabuara e na tregojnë shtegun që na rikthen tek Zoti Dashuri.
Duke kujtuar Shën Rafaelin, shëruesin e plagëve në shpirtrat e njerëzve që nuk
e njohin ose nuk duan ta pranojnë të vërtetën dhe dashurinë e Zotit, sipas traditës
kishtare Kryeengjëlli njihet për shërimin e dashurisë njerëzore, sepse dëbon djajtë,
që tronditin bashkimin ndërmjet burrit e gruas. E veç kësaj, u kthen të verbërve dritën
e syve.
“E dimë të gjithë se sot kërcënohemi nga verbëria, që rrezikon të na pengojë për ta
parë Zotin, për ta shijuar dritën e tij, të verbuar siç jemi nga sendet materiale.
E shërbimi i Rafaelit është ta shërojë këtë verbëri përmes mesazhit të fesë dhe dëshmisë
së dashurisë". (Nga homelia e Benediktit XVI në Meshën e festës së Shenjtorëve Kryeengjëj,
29.09. 2007)
Kryeengjëlli Gabriel, që i kumtoi lindjen e Jezusit Nënës së tij, Virgjërës Mari,
është ai që shpreh dëshirën e Krishtit për të hyrë në zemrën e njeriut. Zoti është
tek porta, tek porta e botës e tek porta e çdo zemre.
Gabrieli i solli Marisë lajmin e amësisë së saj të jashtëzakonshme si dhe titullin
“Hirëplote”, me të cilin e përshëndeti Zojën e Bekuar. E Maria i dha një përgjigje
që vijon të jehojë në zemrat e të gjithëve:
“Duke qenë e dashur nga Zoti, Maria është plotësisht aktive, sepse e pranon me
gatishmëri personale valën e dashurisë që Hyji ndikon mbi të. Edhe në këtë gjë ajo
është nxënëse e përkryer e të Birit i cili, me nënshtrimin ndaj Atit, realizon plotësisht
lirinë e vet (...) Përballë misterit të këtyre dy përgjigjeve “Ja ku jam” të Krishtit
e të Virgjërës, që pasqyrohen njëra tek tjetra e formojnë një Amen të vetëm përpara
vullnetit të Zotit, ne mbetemi të mahnitur e, plot mirënjohje, adhurojmë”. (Nga homelia
e Benediktit XVI në Meshën më 25 .03. 2006).
Pra, pranimi i lajmit të Engjëllit të Tënzot nga Maria, krijon kushtet që lidhja e
Besës së re ndërmjet Zotit e njerëzimit të vuloset në mënyrë të përkryer. E pikërisht
në hapësirën hirplote të përgjigjes së saj pohuese Maria bëhet edhe Nënë e Kishës,
aq sa të përfshijë nën mantelin e saj çdo institucion e mbarështues, edhe misionin
e Pjetrit e të pasardhësve të tij.
All the contents on this site are copyrighted ©. |