2016-09-29 14:51:00

Kumtimi shpresës dhe besimit, kjo është tema e Ditës së komunikimeve shoqërore 2017


Sot u shpall tema e zgjedhur nga Papa Françesku për Ditën botërore të komunikimeve shoqërore 2017: “Mos u tremb: unë jam me ty (Iz 43,5). Kumtimi shpresës dhe besimit në kohën tonë”. Është e 51-a Ditë që Kisha ia kushton mediave të komunikimeve shoqërore, e cila do të zhvillohet më 28 majin e ardhshëm.

Në një njoftim të kësaj teme, Sekretaria e Vatikanit për Komunikimet Shoqërore vëren se “të anestetizosh  ndërgjegjen a të pushtohesh nga dëshpërimi janë dy sëmundje të mundshme drejt të cilave të shpien sistemi aktual i komunikimit. Këndej është fare lehtë ta kauterizosh (djegësh) ndërgjegjen, siç na kujton Papa Françesku në enciklikën Laudato sì, për faktin se shpeshherë profesionistët, opinionistet dhe mjetet e mediave shoqërore veprojnë në zona urbane larg nga vendet e varfërisë e të ngushticës, jetojnë në një distancë fizike, e cila shpesh të shpien në injorimin e dramave të ndërlikuara që jetojnë burrat e gratë” në një realitet konkret.

“Është po kështu e mundur – vijon njoftimi – që dëshpërimi, përkundrazi, kur komunikimi shndërrohet në emfazë e në spektakël, të bëhet një strategji e mirëfilltë për ndërtimin e rreziqeve të afërta e të frikës. Mirëpo, në mesin e një tronditjeje të tillë, dëgjohet një pëshpëritje: ‘Mos u tremb, sepse unë jam me ty’. Në Birin e vet, Hyji është bërë solidar me çdo situatë njerëzore dhe na ka dëftuar se nuk jemi vetëm, sepse e kemi një Atë që nuk i harron bijtë e vetë. Kush jeton në Krishtin, zbulon se madje edhe errësira e vdekja bëhen, për atë që dëshiron, vend i bashkimit me Dritën dhe Jetën. Prandaj, në çdo ngjarje mundohu të zbulosh atë që ndodh ndërmjet Zotit e njerëzimit, për të mësuar se si Ai vetë, përmes skenarit dramatik të kësaj bote, është duke e shkruar historinë e shpëtimit”.

“Ne të krishterët – përfundon njoftimi i Sekretarisë së Vatikanit për mediat – kemi një ‘lajm të mirë’ për të treguar, sepse kundrojmë plot besim horizontin e Mbretërisë së Hyjit. Tema e Ditës së ardhshme Botërore për Komunikimet Shoqërore është thirrje për të treguar historinë e botës dhe historinë e burrave e grave, sipas logjikës së ‘lajmit të mirë’. Të mësojmë të komunikojmë besimin e shpresën për historinë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.