2016-09-29 13:02:00

Bashkësia katolike e Gjeorgjisë e pret Papën me gëzim


Gjeorgjia pret nesër Papën, në etapën e parë të udhëtimit të tij në Kaukaz, që do ta çojë edhe në Azerbajxhan, për t’u kthyer në Vatikan të dielën, më 2 tetor. Do të jetë bashkësia e vogël katolike ajo, që do t’i urojë mirëseardhjen; një pakicë në një vend me shumicë ortodokse. Edhe këtu, fundi i komunizmit shënoi përtëritjen e Kishës. Ndër kongregatat e para, që u vendosën në Gjeorgji në vitet ’90, janë kamilianët. Njëri prej tyre, atë Nino Martini, i kujton kështu ato kohë, në mikrofonin tonë:

Papa do të gjejë një vend të shndërruar. Kur mbërritëm ne në Gjeorgji, na u ndesh të ripërtërinim pjesërisht Kishën Katolike pas komunizmit, sepse po flasim për vitin 1992. Na kishin thënë të mos shkonim në Gjeorgji në atë periudhë, sepse kishte luftë civile. Ne shkuam të takonim Shevardnadze-n në një qytet, të bombarduar në pjesën më të madhe; përgjatë rrugëve kishte tanke; kishte shumë viktima. Vetë Shevardnadze ruhej nga të katër anët, sepse mund t’i bënin ndonjë atentat.

 Ishte vend, në të cilin edhe mendësia trashëgohej nga Bashkimi Sovjetik. Si i përjetuat hapat drejt demokracisë?

Ne filluam me një poliambulancë, pasi i kërkuam shtetit ç’ishte më urgjente në atë çast. Vërtet, sidomos shëndetësia ishte në nivelin më të ulët dhe njerëzit nuk mund të kuroheshin. U jepnim edhe ilaçet falas të sëmurëve. Më pas, me të kaluar ajo periudhë, shteti u organizua njëfarësoj. Edhe ne, përkrah poliambulancës, ndërtuam një vepër tjetër për të gjymtuarit, të cilën do ta vizitojë Papa kur të vijë. Pra, bashkëpunuam në ndryshimin e shtetit nga pikpamja shoqëroro-shëndetësore, pasi u bëmë pikë referimi për periferinë e Tbilisit e kujdeseshim për 500 mijë banorë.

Arritët t’u hyni në zemër e t’i bëni për vete?

Nuk na u desh shumë! Sepse karakteri i tyre mikpritës është i mrekullueshëm. Ata e quajnë veten “napoletanët e Kaukazit”!

Si ka ndryshuar Gjeorgjia në kohë?

Kanë ndryshuar rrënjësisht si Gjeorgjia, ashtu edhe Armenia. Mendoni se administrata mbahej me llogari të bëra në tabelë, ashtu siç bëhet me fëmijët e kopshteve. E tani, arritëm në një kohë të shkurtër, në modernizimin e madh të vendit.

Roli juaj, përmes katekizmit dhe formimit?

Gjithçka eci së bashku: ana shpirtërore, ajo materiale, shëndetësore dhe asistenciale. Mund të themi vërtet se Kisha Katolike, pavarësisht se pakicë e vogël, është bërë e rëndësishme nga çdo pikpamje.

Ju ndodheshit në Gjeorgji e në Azerbajxhan gjatë udhëtimit të Shën Gjon Palit II. Cili është kontributi i asaj vizite? Cilat janë frytet e saj sot?

Dha kontribut sidomos për bashkëpunimin me ortodoksët dhe solli një farë paqeje. Patëm një riafrim rrënjësor, kemi një udhë të përbashkët… Mendoj se edhe Papa Françesku, me vizitën e tij, do të vendosë një tjetër gur kilometrik të rëndësishëm.

Përsa u përket shkollave, fabrikave, takimeve, a keni bërë ndonjë gjë?

As që kemi filluar në atë fushë, sepse kishte rrezik të na akuzonin për proselitizëm. Kemi hapur shkolla e ndonjë kopësht, por në kuadrin e bashkësive tona, të cilat rilindën. Kemi seminaristë, më se 20-25 meshtarë vendas e më se 30 murgesha. Ndodhi, ashtu siç thotë Papa vazhdimisht: “Janë faktet ato, që kanë rëndësi”. Përmes këtyre fakteve, i kemi nxitur njerëzit të bëjnë pyetje, përgjigjja e të cilave shihej në frymën e shërbimit, në frymën e krishterë. E si të krishterë jemi respektuar gjithmonë: tërthorazi, ne bënim një punë baritore të jashtëzakonshme, sepse dëshmonim vazhdimisht Krishtin me jetë. Detyra jonë është të kujdesemi për të sëmurët e të ndihmojmë të varfërit: jemi – nëse mund të themi kështu – prapavija ndoshta, ose pararoja e baritorisë sonë. Është mënyra si e bëjmë punën tonë, që na dallon, si i duam njerëzit, si kujdesemi për të sëmurët, sepse shteti mund të organizohet në këto fusha, por dëshminë, zemrën, duhet ta sjellim ne.








All the contents on this site are copyrighted ©.