2016-09-28 18:28:00

"Takimet e Dom Mikelit” 2016 në Stubëll kushtuar Shën Nënë Terezës


Shën Nënë Tereza ishte në qendër të manifestimit kulturor e shpirtëror “Takimet e dom Mikel Tarabulluzit 2016” që u mbajt javën e kaluar në fshatin Stubëll të Karadut të Kosovës. Manifestimi, në të cilin morën pjesë personalitete e studiues të fushave të ndryshe, u organizua nga Kisha katolike e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Vitisë dhe me Ministrinë e Kulturës së Kosovës. Më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt...

“Takimet e Dom Mikelit  2016”

Në Subllën e Vitisë,  të shtunën me 24 shtator për të 27 herë, u mbajt manifestimi tradicional me karakter fetar, letrar e kulturor në kujtim të priftit e mësuesit të Shollës së parë shqipe në Kosovë, dom Mikel Tarabulluzit, viti 1905.  Megjithatë, kësaj  radhe ky manifestim nuk e pati jehonën e mëparshme për shkak se gëzimi i kësaj feste u përcoll me pikëllimin e lajmit të hidhur që e dha ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji për kalimin papritmas  në amshim të priftit e historianit të njohur dom Gjergj Gjergji. Ai e dha kumtin në fillim  të Meshës shenjte, e cila sipas programit niste “Takimet e Dom Mikelit” 2016,  që sivjet iu dedikuan  të Shenjtës Nënë Terezë. Dhe, për ta “kuptuar” me mire mistiken e fesë, dom Gjergj Gjergji ishte shoqëruesi i Nenës Terezë gjatë disa vizitave të saj në Shqipëri e Kosovë.

Pjesa kryesore që mori vëmendjen e pjesëmarrësve të shumtë në këto takime të organizuara nga Kisha katolike e ipeshkvi i Kosovës, në bashkëpunim me Komunë e Vitisë dhe Ministrinë e Kulturës, ishte “Tribuna Shkencore”.

Në kumtesën me temën: “Nënë Tereza dhe shqiptarët”, autobiografi me i njohur nga trevat shiptare i Shën Nënë Terezës, dom Lush Gjergji duke shpalosur momentet që e karakterizojnë jetën dhe shëmbëlltyrën e veprës se saj, e cilësoi atë si shenjtëresha e jetës dhe e dashurisë. “Ajo ishte mbrojtësja e jetës e pikërisht ky fakt  ka bërë qe ajo të çmohet e të nderohet në nivelin e gjithë botën”, tha dom Lushi duke vazhduar me tej të shtjellojë përshpirtërinë e filozofinë e Shë Nënë Terezës, punën e saj për jetën, për dashurinë e për paqen, siç thoshte ajo vete,” Gjithnjë jam në shërbim të Krishtit Zot”.  

Një kumtesë tjetër që pjesëmarrësit do ta mbajnë gjatë në mend e cila u përcoll me kureshtje dhe emocione te papërshkrueshme, ishte ajo e poetit te njohur, Visar Zhiti, i cili aktualisht është i ngarkuar me punë në Ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan.  Ai me një ton të butë, shprehu mendime, fjalë e bindje të sinqerta për Shën Terezën, e fillimisht për Koncertin e organizuar nga kombi i saj një dite para Shenjtërimit dhe shfaqja e frymës shqiptarë atje. “Vij nga Vatikani. Mrekullitë e saj vazhdojnë!. Edhe kjo ditë është një nga mrekullitë e saj!” tha në fillim i ngarkuari me punë në Ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë Zhiti, duke vazhduar të flas me emocione për pjesëmarrjen e shqiptareve dhe simbolet e tyre në Vatikan,  siç tha, në kryeqytetin shpirtëror të botës”.  

Në vazhdim, ai foli edhe për takimet që ka pasur me Nënë Terezën. “Bota ka etje, thoshte ajo, e këtë etje, ajo provoi ta shuaj me dashuri” tha Zhiti për te vazhduar me fëmijërinë e Ganxhe Bojaxhiut, familjen fetare e kombëtare të saj, rrugëtimin e përkushtimit për dashuri e paqe në botë, deri te mohimi i vizitës në Shqipëri të Nënës Terezë nga ish sistemi diktatorial. “Në ndërtimin e aeroportit punuan të burgosurit politik shqiptar të kohës së diktaturës së Enver Hoxhës, ndërsa tani aty është ngritur shtatorja e Shën Terezës dhe aeroporti mban emrin e saj” tha Visar Zhiti duke përmendur ndryshimet pozitive ne respektimin e kësaj figure nder më madhoret që kanë shqiptarët.

Për figurën e Nënë Terezës me pietet të lartë foli edhe prifti nga Italia, don Valentino Salvodi. Ai solli shumë kujtime nga takimet me Shën Terezën.  

Në përfundim të kësaj tribune, Imzot  Dodë Gjergji përcolli një porosi simbolike shumë domethënëse. “Kombi shqiptar, apo ne jemi një vazo e thyer sepse historia na ka dëshmuar se ne jemi të thyer e të copëtuar shpeshherë si fetarisht, territorialisht, politikisht, e në mënyra tjera, aq sa kemi mbërri ti ndajmë njerëzit në tradhtar e patriot e kështu me radhë. Nëse do të vazhdojmë kështu, atëherë kjo vazo do të mbetet e copëtuar dhe e shëmtuar gjatë gjithë të ardhmes tonë” tha ipeshkvi duke shpreh mendimin e tij, se duhet ti mbledhim copat e kësaj vazoje dhe siç tha ai, jo vetëm që t’ia kthejmë bukurinë që e ka pasur, por duke i ngjitur copat e saj me frymëzimin e Shën Nënë Terezës.

“Takimet e Don Mikelit” u përmbyllen me hapjen e ekspozitës kushtuar  Nenës Terezë me punimet e 20 piktoreve dhe orën e madhe letrare “Agim Ramadani” ku me poezitë e tyre u paraqiten 30 poetë nga  Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Presheva.

Nga Prishtina Rabie Ibraj

 








All the contents on this site are copyrighted ©.