2016-09-27 14:50:00

Papa: ta kapërcejmë shkretimin shpirtëror me lutje


Çfarë ndodh brenda nesh, kur na thyhet zemra e shpirti? Kësaj pyetjeje iu përgjigj në homelinë e sotme Papa Françesku, i cili e kremtoi meshën e mëngjesit si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, duke u përqendruar në figurën e Jobit. Ati i Shenjtë e vuri theksin mbi rëndësinë e heshtjes dhe të lutjes, për të kapërcyer çastet e vështira të jetës. Gjithashtu, në ditën kur Kisha përkujton Shën Vinçenc De Paolin, e ofroi meshën për motrat vinçenciane, Bija të Bamirësisë, që shërbejnë pikërisht në Shtëpinë e Shën Martës.

Herët a vonë, të gjithëve na kap nganjëherë trishtimi

Jobi, kujtoi Papa, pati humbur gjithçka, pasuri e fëmijë. Ndjehej krejtësisht pa jetë ndër dej, por nuk e mallkoi Zotin. Përjetonte një shkretim të madh shpirtëror, trishtim e mjerim të jashtëzakonshëm, por i foli Zotit e u shfry me Të, ashtu siç bën fëmija me të atin, ashtu siç pati bërë edhe Jeremia profet, pa blasfemuar:

“Trishtimi në shpirt është diçka, që na kap të gjithëve: mund të jetë më i madh, më i vogël… Por, ajo gjendje shpirtërore e errët, pa shpresë, plot dyshime, pa dëshirë për të jetuar, pa e parë fundin e tunelit, me shumë ankthe në zemër e edhe në ide… Shkretimi shpirtëror na bën të ndjehemi sikur ta kishim zemrën të shtypur: nuk ia del, nuk ia del e, nuk dëshiron të jetojë: ‘Më mirë vdekja!’. Kështu shfryn Jobi. Më mirë të vdesim se të jetojmë kështu. Ne duhet ta kuptojmë kur shpirtin tonë e kaplon trishtimi, aq sa nuk marrim dot frymë: të gjithëve na ndodh kjo. Dikujt më fort, dikujt jo… Të gjithëve… Duhet të kuptojmë ç’ndodh në zemrat tona”.

Kur ndjehemi të humbur, t’i lutemi Zotit me këmbëngulje

Por, ç’duhet bërë kur jetojmë këto çaste të errta për një tragjedi familjare, për një sëmundje, ose për diçka tjetër? Ndokush, tha Papa, mendon se mjafton të marrë ndonjë ilaç për të fjetur e kështu, largohet nga faktet; dikush tjetër pi ndonjë gotë alkool, po nuk është kjo rrugëzgjidhja. Përgjigjja, nënvizoi Ati i Shenjtë, është në Psalmin 87, që na kërkon të lutemi shumë, ashtu si Jobi, duke e lartuar britmën tonë plot ankth deri në veshët e Zotit, deri sa Ai i Lumi të dëgjojë:

“Është lutja e trokitjes në derë, por me forcë! ‘O Zot, u ngopa me fatkeqësi. Jeta ime është në prag të ferrit. Jam ndër ata, që po bien në gropë, jam njeri pa forca tashmë’. Sa herë e ndjejmë veten kështu, pa forca… Vetë Zoti na mëson si të lutemi në këto çaste të këqia. ‘O Zot, më plandose në errësirë pa fund. Zemërimi yt rëndon mbi mua. Le të mbërrijë te Ti lutja ime’. Kjo është lutja: kështu duhet të lutemi në çastet më të këqia, më të errta, më të trishtuara, që na shtypin e na ndrydhin. Kjo është lutja me gjithë shpirt. Edhe shfryrja, ashtu si u shfry Jobi e të bijtë. Si një bir”.

Heshtje, afërsi dhe lutje: kështu ndihmohet miku, që vuan

 Libri i Jobit flet për heshtjen e miqve. Para dikujt, që vuan, fjalët mund ta keqësojnë gjendjen, tha Papa. Rëndësi ka t’i qëndrosh afër tjetrit, pa fjalë të mëdha, duke u lutur për të. Ati i Shenjtë përmblodhi:

“Së pari, t’i kuptojmë çastet e shkretimit shpirtëror brenda vetes, kur jemi në errësirë, pa shpresë, e të kërkojmë pse-në. Së dyti, t’i lutemi Zotit në çastet e errta, siç na mëson sot liturgjia me Psalmin 87. “Le të mbërrijë te Ti lutja ime, o Zot’. Dhe së treti, kur i afrohemi dikujt që vuan, si nga sëmundja, ashtu edhe nga çdo lloj tjetër vuajtjeje, që shkon deri në mjerimin shpirtëror, të heshtim: por të heshtim me shumë dashuri, afërsi, përkëdhelje. E të mos themi fjalë që nuk ndihmojnë e, nganjëherë, bëjnë më keq”.

Së fundi, Papa Françesku kërkoi këto tre hire nga Zoti: ta kuptojmë shkretimin shpirtëror, të lutemi me forcë dhe t’i shoqërojmë njerëzit në këtë gjendje me afërsinë tonë e jo me fjalë.








All the contents on this site are copyrighted ©.