2016-09-27 15:18:00

Imzot Ladaria: Papa dëshiron ta vlerësojë rolin e grave në Kishë


Filloi Simpoziumi mbi rolin e grave në Kishë, organizuar nga Kongregata për Doktrinën e Fesë në Universitetin Papnor “Regina Apostulorum”. Folëm me sekretarin e dikasterit vatikanas, imzot Luis Francisco Ladaria Ferrer, i cili u takua edhe me Papën Françesku:

Ky Simpozium vjen nga dëshira e Atit të Shenjtë për t’u thelluar në studimin e rolit të grave në Kishë, në mënyrë që ai të vlerësohet gjithnjë e më shumë. Së pari, duhet thënë se shumica e relacioneve në këtë simpozium mbahen nga gra: pra, kemi një prani femërore edhe nga këndvështrimi teologjik. Temat kryesore kanë të bëjnë me bazat teologjike të thirrjes së gruas në jetën e Kishës, me gruan në Shkrimin Shenjt, me gruan në historinë e Kishës e më pas, me revolucionin kulturor që po përjetojmë, pra, me perspektivën filozofike dhe teologjike të ndryshimeve seksuale, me praninë femërore në institucionet e Kishës, me temat e mëdha si Kisha Sakrament e nuse e nënë dhe me rrjedhojat për gratë. Janë tema të rëndësishme, që do të trajtohen edhe nga një o dy gra. Nuk do të kemi vetëm një këndvështrim mbi këto tema, por gjithnjë një larmi këndvështrimesh.

Pse u ndje nevoja për t’u takuar e për të folur mbi këto tema?

Ishte nismë e Atit të Shenjtë, sepse gratë janë së paku gjysma e të krishterëve dhe kanë të drejtë t’u dëgjohet zëri; në Kishën Katolike, ministeri i shuguruar u rezervohet burrave, por gratë kanë një rol, që duhet vlerësuar gjithnjë e më tepër. Pra, kjo është arsyeja.

 Papa ka vënë në dukje nevojën e një teologjie të thellë të gruas: cilat mund të jenë bazat e saj?

 Këtë po përpiqemi të bëjmë me simpoziumin: pra, bazat teologjike, si ka qenë në histori, si është vlerësuar ose jo gruaja në histori… të shohim të kaluarën për të përballuar sfidat e të sotmes.

Ati i Shenjtë u pati thënë ipeshkvijve brazilianë: “Të mos e reduktojmë impenjimin e gruas në Kishë, por ta promovojmë rolin e saj aktiv në bashkësinë kishtare”. Si ta promovojmë?

Gjithnjë me nisma baritore e me pak imagjinatë, duke ditur se bota ndryshon e se edhe ne duhet të ndryshojmë. Kisha duhet të gjejë një mënyrë për të qenë gjithnjë e më e pranishme në të gjitha fushat e, këtu, roli i grave mund të jetë vendimtar.

Si ka ndryshuar me kohë, roli i grave në Kishë?

Flas nga përvoja ime si profesor i një fakulteti teologjie: në të gjitha fakultetet e teologjisë, sot, ka gra. 50 vjet më parë, kjo nuk ndodhte… Sigurisht që në fusha të tjera gratë kanë qenë gjithnjë të pranishme. Mendoni për fushën e shëndetësisë, për atë të edukimit: këtu kanë qenë gjithnjë shumë të impenjuara. Por tani janë pjesë edhe e këtyre vendeve të reflektimit teologjik e kjo nuk është pak.

Kur Zoti u ngjall, iu duk grave për herë të parë…

…ishte Maria Magdalena… Nëse marrim si pikënisje këto elemente të Besëlidhjes së Re, vërejmë se gratë e kanë kumtuar gjithmonë Ungjillin e do të vazhdojnë ta bëjnë këtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.