2016-09-26 14:34:00

Prifti e historiani kosovar dom Gjergji Gjergji kaloi në amshim.


Prifti e historiani dom Gjergj Gjergji ndërroi jetë të premten e kaluar, më 23 shtator 2016, në vendlindjen e tij, në fshatin Stubëll të Karadakut të Kosovës. Lajmi për kalimin në amshim të meshtarit shqiptar, dom Gjergj Gjergjit, e pikëlloi Kishën e Kosovës, besimtarët e komuniteteve kishtare ku ka shërbyer në Kosovë, Itali e Shqipëri, menjëherë pas rënies së regjimit komunist, familjarët e tij dhe dashamirët e historisë.

Funerali i të ndjerit, u kremtua dje më 25 shtator 2016, në ora 15:00, gjithnjë në fshatin e vendlindjes, Stubëll të Epërme, te Kisha e Shën Gjergjit apo siç njihet te ‘Kisha e vjetër’. Pas kremtimit të Meshës së dritës e ritit të salikimit, trupi i dom Gjergj Gjergjit pushon në paqe në varrezat e fshatit  Stubëll, në afërsi të Kishës, të cilën aq shumë e deshi e për të cilën jetoi e veproi si meshtar, dëshmitar i Lajmit të Mirë – Ungjillit dhe studiues i historisë.

Dom Gjergj Gjergji, meshtar e historian, krahas misionit meshtarak, punoi plot pasion në fushën e historisë, duke kërkuar rreth së kaluarës së popullit dhe të Kishës shqiptare, në mënyrë të veçantë mbi Martirët e Karadakut. Për këta dëshmitarë të vlerave shpirtërore e kombëtare, siç i quante dom Gjergji martirët shqiptarë, bëri kërkime në arkivat  e shumë vendeve të Evropës e në ato të Vatikanit.

Fryti i punës së tij hulumtuese është kryevepra që shkroi “Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848”. Në këtë vepër, dom Gjergj Gjergji – Gashi, nxorri në dritë kalvarin e shqiptarëve në përgjithësi e në veçanti të shqiptarëve të besimit katolik të katër fshatrave të Malësisë së Karadakut: Stubllës, Vërnakollës, Binçës e Terziajve. Në këtë vepër ai sjell dokumente e fakte të shumta mbi ngjarjet historike të dhimbshme si dhe dëshmitë e atyre që qenë ende gjallë, të cilët e kujtonin hap pas hapi kalvarin e popullsisë së Malësisë së Karadakut, gjatë viteve 1846-1848.

Libri mbetet një thesar i çmuar me të dhëna  mbi ngjarjet e dhimbshme të një populli, përmes së cilave, autori, deshi të përforconte vetëdijen kombëtare, e këtë përmes njohjes së identitetit e të ndërgjegjësimit shpirtëror.
Ndër veprat tjera të dom Gjergj Gjergjit Gashi përmendim “Vatikani e Arbëria”, dhe “ Kosova, altari i Arbërisë” (tre vëllime), si dhe shumë vepra tjera që i la në dorëshkrim.  Dom Gjergj Gjergji – Gashi, qe një meshtar i zellshëm e njeri i pasionuar pas historisë së popullit shqiptar, pas artit, pikturës, letërsisë, poezisë, publicistikës etj. 

Ju propozojmë një fragment nga intervista e dom David Gjugjës bërë me dom Gjegj Gjergjin më 1994 me rastin e botimit të veprës Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848”, ta dëgjojmë dom Gjergj Gjergjin...








All the contents on this site are copyrighted ©.