2016-09-26 10:33:00

Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot lutet për Meksikën e goditur nga dhuna


Pas Meshës, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku nderoi meshtarin gjerman Engelmar Unzeitig, i cili të shtunën u shpall i Lum në Wurtzburg, në Gjermani, viktimë e persekutimit nazist, pastaj kujtoi dramën e dhunës që po brengos popullin meksikan e në Ditën e djeshme kushtuar të Shurdhërve, kërkoi nga Kisha e shoqëria të jenë më bujarë e mikpritës.

“Shembulli i tij na ndihmoftë të jemi dëshmitar të dashurisë e të shpresës edhe në mesin e vuajtjeve e të mundimeve”, kështu tha Papa Françesku duke kujtuar figurën e të lumit të ri Engelmar Unzeitig, meshtarit të Kongregatës së Misionarëve të Mariannhill-it.

Mendimi i Papës pastaj shkoi në Meksikë, ku të hënën e kaluar janë sekuestruar tre priftërinj, dy në Shtetin e Veracruz, Alejo Naborì e José Alfredo Jimenez, dhe një tjetër José Alfredo Lopez Guillen, në Shtetin Michoacan, të cilët u gjetën të vrarë.

“...siguroj lutjen time për popullin e dashur meksikan, që të pushojë dhuna e cila këtyre ditëve ka goditur edhe disa meshtarë”.

Pastaj Papa Françesku shprehi afërsinë e tij ndaj Kishës meksikane:

“Bashkohem me shumë kënaqësi me ipeshkvijtë e Meksikës në mbështetjen e impenjimit të Kishës e të shoqërisë civile në favor të familjeve dhe të jetës, që këtyre ditëve kërkojnë një vëmendje të veçantë baritore e kulturore në mbarë botën”.

Së fundi, një përshëndetje të veçantë në Ditën botërore kushtuar të Shurdhërve:

“Dëshiroj t’i përshëndes njerëzit e shurdhër, të cilën janë edhe këtu të përfaqësuar , e të inkurajoj të gjithë të japin një kontribut për një Kishë e një shoqëri gjithnjë e më të afta për pritjen e të gjithëve me bujari e përzemërsi”.

E akoma një falënderim i Papës drejtuar të gjithëve katekistëve të pranishëm në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për kremtimin e Jubileut të tyre të Mëshirës:

“Zoja e Bekuar ju ndihmoftë të qëndroni në udhën e fesë e të dëshmimit me jetë të asaj që transmetoni në katekizëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.