2016-09-26 11:47:00

Kardinali Parolin në Kolombi për firmën e marrëveshjes së paqes ndërmjet qeverisë e Farc


Ditë historike sot në Kolombi, ku presidenti Juan Manuel Santo e krerët e gueriljes marksiste (Farc) do të firmosin marrëveshjen që i jep fund konfliktit 52 vjeçar ndërmjet forcave qeveritare dhe gueriljes me origjinë socialiste. Vendi arrin në këtë rezultat pas negociatave që zgjatën 4 vjet në Havanë, për çka ka dhënë një kontribut vendimtar Selia e Shenjtë.

Për të kuptuar rëndësinë e marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Bogotà-s  e luftëtarëve marksist të Farc mjafton të kujtohen numrat e një lufte të vërtetë civile që ka goditur Kolumbinë nga viti 1964: mëse 220 mijë të vdekur, 45 mijë njerëz të zhdukur, 7 milion të pastrehë, mijëra fëmijë ushtarë. Farc kontrollojnë rajone të tëra të shtetit të Amerikës jugore duke u vetëfinancuar me trafikun e drogës dhe sekuestrimin e njerëzve: afër 25 mijë vetë janë sekuestruar në një hark kohor prej gjysmë shekulli.

Për këtë arsye firma e marrëveshjes që do të bëhet në qytetin karaibik të Cartagena de Indias, do të kryesohet nga autoritetet më të larta të komunitetit ndërkombëtar. Ndër ta, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon, sekretari i SHBA-së Kerry, përfaqësuesi i Lartë për politikën e jashtme të BE-së Mogherini, presidenti i Bankës botërore Jim Yong Kim e trembëdhjetë kryetar të shteteve të rajonit (Meksikë, Guatemala, Honduras, El Salvador, Kosta Rika, Panama, Kuba, Venezuela, Republika Dominikane, Ekuadori, Peru, Kili e Paraguai).

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së paqes do të jetë i pranishëm edhe sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Selia e Shenjtë e ka inkurajuar dhe mbështetur procesin e paqes që u arrit me ndërmjetësimin kuban, proces që u mbajt për 4 vjet në Havanë, me rezultatin e armëpushimit  firmosur më 23 qershorin e kaluar. Gjithastu Papa Françesku, ka shpreh urimin për të shkuar në Kolombi në vitin 2017.

Sfida për presidentin kolombian Santos do të jetë tani ajo e integrimit të mijëra milicëve në jetën civile. Nuk do të jetë lehtë, edhe për arsye se shumë kolombian i shikojnë akoma me skepticizëm këto marrëveshje, të cilat do të ratifikohen me një referendum popullor që do të mbahet më 2 tetorin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.