2016-09-23 12:24:00

Viganò: Papa e inkurajon reformën e mediave të Vatikanit


Papa Françesku u takua dje pasdite me Prefektin e Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò, së bashku me sekretarin, imzot Lucio Adriàn Ruiz dhe me Këshillin e dikasterit të ri. Ati i Shenjtë pati me ta një bisedë të përzemërt dhe u dorëzoi Statutet, që u publikua dje dhe do të hyjë në fuqi më 1 tetor. Për këtë takim, intevistuam vetë imzot Viganò-në:

Ishte takim shumë i përzemërt, në praninë e sekretarit të dikasterit dhe të krerëve të drejtorisë së përgjithshme, të drejtorisë teologjiko-baritore, të drejtorisë teknologjike dhe të Sallës së Shtypit. Papa deshi të na i dorëzojë personalisht Statutet, që u përgatitën në shumë muaj pune nga një grup i përbashkët. Gjithashtu, Statutet janë kontrolluar e ndjekur nga Këshilli Papnor i Teksteve Legjislative dhe sidomos, nga Sekretaria e Shtetit. Prandaj, ishte një çast shumë i përzemërt e Ati i Shenjtë na kërkoi të vijojmë me vendosmëri në rrugët e këtij skenari të konvergjencës digjitale, nga e cila nuk mund të kthehemi më mbrapa.

Çfarë përfaqëson miratimi i Statuteve në udhën trivjeçare, që kemi akoma përpara?

Mund të themi se puna është nisur tashmë, sipas atij projekti, që u miratua nga Këshilli i nëntë kardinajve dhe nga Ati i Shenjtë. Prandaj, pavarësisht se pritëm shumë muaj për të gjetur formulimin më të përshtatshëm për aspektet formale, shumë të rëndësishme, Statuti sanksionon një projekt të paraqitur e të miratuar. Sigurisht, është akt i rëndësishëm themeltar nga pikpamja juridike. Tani kemi kuadrin ligjor, që na lejon të hartojmë rregulloret, një tabelë të vetme për personelin, që është e përbashkët për të gjitha entet nga të cilat përbëhet dikasteri.

Vihet re një formë “Statuti i hapur”, nëse mund të themi kështu. Pra, i gatshëm për t’iu përgjigjur ndryshimeve të shpejta të botës së komunikimit, siç është, për shembull, revolucioni digjital. Ç’do të thotë kjo?

Do të thotë të përgatitësh një mjet, që mund të shërbejë edhe në të ardhmen. Mjafton të mendojmë se nga telegrafi e deri më sot, kanë kaluar pak më shumë se 150 vjet, gjatë të cilave kemi pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm teknologjik… eskponencial. Prandaj, është e rëndësishme të kemi një mjet juridik, që na lejon të vijojmë punën edhe pas pesë, dhjetë vjetësh, duke marrë parasysh ç’ndodh në skenën e mediave.

Në fjalën për Këshillin kombëtar të Urdhërit të gazetarëve italianë, pikërisht në ditën e publikimit të Statutit, Papa nënvizoi se Segretaria e komunikimit ka një përmasë “shërbimi”…

Kjo besoj se është pak edhe thirrja e saj: nga njëra anë, thirrje e brendshme e Kishës, por, nga ana tjetër, edhe një ndihmë për gazetarët, në mënyrë që të dinë si të japin lajme për Kishën. Ajo, siç thotë Papa Françesku, nuk është thjesht një entitet sociologjik, prandaj, për të nuk mund të përdoren kategori thjesht politike. Kisha ka nevojë për një hermeneutikë shpirtërore, pra, për një mënyrë, që hedh një vështrim sidomos shpirtëror mbi faktet, mbi veprimtarinë kishtare. Ajo është një bashkësi burrash e grash, që ndjekin Krishtin e, përmes veprimtarisë së tyre, i japin kuptim të ri gjithçkaje në Krishtin. Prandaj, ose e përvetësojmë këtë vështrim shpirtëror mbi Kishën, ose, shpesh, lindin madje devijime ideologjike. Sekretaria e komunikimit, siç tha Papa, është pikë referimi për botën e informacionit e në veçanti, për vatikanistët, që gjithnjë e më shumë e gjithnjë e më mirë të arrijnë ta informojnë gjithë botën për Magjisterin e Atit të Shenjtë dhe për gjestet e Papës.








All the contents on this site are copyrighted ©.