2016-09-23 11:17:00

Shërbëtorja e Zotit Marie Tuci, martire e Krishtit dhe Kombit, në përvjetorin e martizimit


Duke shfletuar kalendarin historik, më 24 shtator, kujtojmë përvjetorin e martirizimit të Shërbëtores së Zotit,  tashmë e Lumja Marie Tucit. Kjo dëshmitare e fesë së krishterë, e shpirtit fisnik shqiptar dhe e kulturës, siç dëshmon jeta, vepra dhe martirizimi i postullantes së Motrave Stigmatine, vdiq më 24 shtator të vitit 1950 në Shkodër.

Në jetën e saj të shkurtër, Marie Tuci dëshmoi dhe transmetoi fuqinë e fesë së krishterë, shndriti ndërgjegjet e tjerëve me besimin e patundur në Krishtin e Gjallë dhe me dashurinë për kulturën e jetës e të vëllazërimit. Kujtojmë se Marie Tuci, mirditore, është e vetmja femër që gjendet deri më tani, në listën e 40 martirëve shqiptarë, 38 prej të cilëve, më 5 nëntor 2016 në Shkodër, do të shpallën të Lumtur

Shërbëtorja e Zotit, tashmë e Lumja Marie Tuci së bashku me të vëllain e shumë të tjerë, u arrestuan nga komunistët pas vrasjes se Bardhok Bibes. Vuajtjet më të mëdha për Marinë do të vinin nga shefi i sigurimit të Shkodrës të asaj kohe, Hilmi Seiti, i cili i goditur nga bukuria e vajzës, tentoi të abuzoje me të, po ndeshi në kundërshtimin e ashpër të Maries. 

Lirinë do ta fitonte pikërisht atëherë kur kishte mbërritur edhe fundi i saj tokësor për shkak të torturave çnjerëzore. Atëherë kur nuk munden ta mposhtnin dot në dinjitetin, në fisnikërinë dhe në idealet e saj, komunistët e futen në një thes bashke me një mace duke e goditur vazhdimisht. Kur e nxirren prej andej, Maria nuk njihej. Një dëshmitar i martirizimit e kishte krahasuar me një larvë njerëzore. E dërgojnë në spitalin e Shkodrës ku dhe ndahet nga jeta me 24 shtator të vitit 1950. 

Maria Tuci, vajza mirditore, u shndërrua në simbolin e emancipimit e të dinjitetit njerëzor e femëror në kushtet e një regjimi të egër diktatorial komunist që e burgosi dhe e çoi në rrugën pa kthim të vdekjes. Më vonë, pas rënies së diktaturës ateiste komuniste, Maria Tuci përkujtohet në Shkodër dhe Mirditë si një grua me dinjitet të lartë e të pathyeshëm, që nuk iu dorëzua epsheve të funksionarëve të sigurimit të regjimit të kohës, ndonëse ishte e mbyllur në qelitë e errëta të komunizmit. Bukuria e saj vriste sytë e gardianëve dhe njerëzve të pushtetshëm, dinjiteti i saj nxiste dhunën brenda tyre, po Maria Tuci nuk u përkul në asnjë moment duke i treguar atyre se përtej një gruaja të re dhe të bukur, qëndronte një grua shqiptare plot dinjitet e bindur në idealet e veta të larta, të shenjta e të përjetshme.

Ajo e Marie Tucit qe një jetë e mbytur herët mes dhimbjesh dhe torturash pafund, po një jetë që pranoi martirizimin në mënyrë shembullore, heroike e me dinjitet në mbrojtje të dhuratës më të madh që pati nga Zoti, jetës, nderit dhe besimit në Krishtin Shpëtimtar. Ajo donte të behej murgeshë, t'i përkushtohej gjithë jetën Zotit e popullit të vet të dashur shqiptar, Fesë e Atdheut, po nuk mundi, sepse jetoi në kohën me të egër të përbindëshit, komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës. 

Ishte koha e përndjekjes dhe orvatjet për shfarosjen e katolikëve shqiptarë, që përbenin një rrezik të vazhdueshëm për tiranin çnjerëzor Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Ishte koha e tmerrshme e kohës së diktaturës ateiste të komunizmit që e lau tokën shqiptare me gjakun e pafajshëm të martirëve të vet. E gjaku i tyre, si ai i Marie Tucit, u shndërruan në farën e ngadhënjimit të së mirës mbi të keqën, të fitores së dashurisë mbi urrejtjen, të dritës mbi errësirën, të së vërtetës mbi gënjeshtrën, të jetës mbi vdekjen.








All the contents on this site are copyrighted ©.