2016-09-23 19:04:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 26-të gjatë vitit “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.  Edhe këtë të diele tema e liturgjisë është diskutimi ndërmjet varfërisë e pasurisë, ndërmjet mjeteve shtypëse, që njerëzit përdorin ndaj njëri-tjetrit, e drejtësisë së Zotit: humnera, për të cilën flet Ungjilli, na nxit të mendojmë mirë mbi vlerat që na pasurojnë dhe na fton të jetojmë e të veprojmë në perspektivën e Mbretërisë së Hyjit.

Më shumë mbi programin kushtuar Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu.......

Kështu pra, në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi na tregon një tjetër shëmbëlltyrë: atë të njeriut të pasur dhe të Lazrit të varfër, për të na orientuar në jetë e në vepra drejt Mbretërisë së Hyjit. I pasuri kishte veshje të bukura, hante mirë me tryezën përherë plot: ndërsa Lazri i varfër nuk kishte as edhe një copë bukë. Ishte i sëmurë e ishte me plagë. Ka një ndryshim të madh ndërmjet këtyre dy njerëzve. Por e keqja më e madhe është se i pasuri nuk interesohet fare për të varfrin; nuk i jepte asgjë për të ngrënë.

Por njeriu, i pasur a i varfër qoftë, nuk duhet të harrojë se vdekja, herët a vonë, vjen për të gjithë. Nuk duhet të harrojmë se ekziston edhe një jetë tjetër pas vdekjes. E në jetën me Zotin, gjërat ndryshojnë. I pasuri materialisht bëhet shumë i mjerë dhe përfundon në ferr, ndërsa Lazri  gjendet në jetën e gëzimit e të paqes, sepse pas kalimit të jete tokësore gjërat ndryshojnë: ai i cili në këtë botë kërkon vetëm kënaqësitë e mishit dhe nuk interesohet kurrë për të varfrit, pas vdekjes do të gjejë vuajtjet e ndëshkimet e përjetshme, larg nga Zoti Jezus. Ndërsa ai i cili në këtë botë vuan sëmundje, varfri, dhe padrejtësi, por që jeton me shpresë e besim në Hyjin, pas vdekjes merr nga Zoti si shpërblim gëzimin e pafund, jetën e amshuar.

Humnera në të cilën ka përfunduar njeriu i pasur është imazhi dramatik i shëmbëlltyrës së treguar nga Ungjilli. Ndërsa Lazri skamnor thirret me emër, i pasuri nuk ka emër: egoizmi i tepruar çnjerëzor që e karakterizon, ia ka shpërfytyruar identitetin e tij të vërtetë. Jezusi nuk e denoncon aq pasurinë në vetvete, por shpirtvogëlsinë, kurnacërinë në të cilën absolutizimi i pasurisë materiale mund ta shpie njeriun. Modelin e ‘njeriut të Zotit’, e kemi në leximin e dytë në Letrën e Palit drejtuar Timoteut: është ai që është i dhënë me gjithë shpirt pas drejtësisë, dashurisë, qëndresës, fesë, butësisë. Ai që lufton luftën e mirë të fesë e të solidaritetit, edhe përballë vështirësive. Pra Jezusi na kërkon të ndryshojmë, të luftojmë kundër djallit e kundër së keqes, të pasurohemi me vepra dashurie e bamirësie, për të fituar nga Zoti jetën e bekuar në qiell.

             Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Am 6, 1.4-7
Populli i Izraelit tani jeton në një tokë të qëndrueshme dhe të sigurt, ndërsa në të kaluarën ka jetuar si endacak nën çadra. Për shumë vite Hyji, duke e parë të poshtëruar dhe endacak, e ka mbrojtur dhe e ka ndihmuar. Por tani mirëqenia dhe siguria ekonomike e bën këtë popull të ndihet i ngopur dhe i sigurt në kurriz të të varfërve. Edhe sot ekonomia jonë e konsumit e ndërtuar mbi mundimin e të tjerëve nuk ka bekimin e Hyjit.

Lexim prej Librit të Amosit profet
Kështu thotë Zoti i gjithëpushtetshëm: “Vaj për ata që janë të qetë në Sion, që janë të sigurt në mal të Samarisë, që janë paria e më të parit komb, kah të cilët shkon shtëpia e Izraelit! Fjetur në shtretër asht elefanti, sa gjerë e gjatë të shtrirë në shtroja të veta, hanë qengjat e njomë të grigjës e viça të zgjedhur të lorisë; me psalter të përcjellë këndojnë, shpikin vegla muzikore si Davidi, e pinë verë me gota të mëdha e lyhen me vajra të zgjedhur e për rrënimin e Jozefit s’janë në kujdes! Prandaj tash në mërgim do të shkojnë, mu në krye të gjithë mërgimtarëve, do të pushojë shoqëria e të shfrenuarve!” Fjala e Zotit.

Psalmi 146
Lum skamnorët në shpirt

----- ----- -----
Zoti u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqim të uriturve.
Zoti i çliron robërit.
----- ----- -----
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët.
----- ----- -----
U ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
----- ----- -----
Leximi i dytë 1 Tim 6, 11-16
Të shpallësh besimin tënd nuk do të thotë të recitosh fjalë të bukura. Gjëja e vetme që thyen indiferencën është një përvojë e gjallë dhe e vërtetë e Hyjit të krishterë.  I krishteri pohon me jetën e tij se e ka takuar dhe bëhet dëshmitar ashtu si Jezusi i Nazaretit, që përballë skepticizmit dhe refuzimit ka dëshmuar gjithmonë që ekziston një Hyj në ecjen e njeriut.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, jepu me gjithë shpirt mbas drejtësisë, përshpirtërisë, fesë, dashurisë, qëndresës, butësisë! Lufto luftën e mirë të fesë, fitoje jetën e pasosur, në të cilën u thirre dhe për të cilën e dhe një dëshmi të bukur para shumë dëshmitarëve! Të urdhëroj para Hyjit, që u jep jetë të gjitha sendeve, dhe para Krishtit Jezus që e dha atë dëshmi të bukur para Ponc Pilatit, mbaje urdhrin pa njolla dhe pa të meta deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit, që do të na e tregojë në kohën e caktuar Ai, i lumi dhe i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve, Ai që i vetmi e ka pavdekësinë, që banon në dritën e paafrueshme, të cilin asnjë njeri nuk e pa dhe asnjë njeri s’mund ta shohë. Atij i qoftë nderi dhe pushteti i amshueshëm! Amen! Fjala e Zotit.

ALLELUJA, alleluja.
Të lumët ju që tani keni uri, thotë Zoti, sepse do të ngiheni.
Alleluja.

Ungjilli Lk 16, 19-31
Jezusi shpall që në jetën e amshuar do të ndodhë përmbysja e vlerave. Të varfërit dhe të pasurit i dhurohet një fat ndryshe nga ai që kishin në jetën tokësore: Lazri tani gëzon të mirat në qiell. I pasuri është i torturuar në ferr. Jezusi në lumturitë shpall të lumtur të varfrit, të uriturit, ata që qajnë, u jep atyre lajmin se janë të dashur prej Hyjit dhe deklaron se në Mbretërinë e Hyjit do të përmbyset mentaliteti i kësaj bote.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha farisenjve: “Ishte një njeri i pasur që vishej me cohë të kuqe e me pëlhurë të çmueshme dhe gostitej shkëlqimisht si një ditë për ditë. Kurse para derës së tij rrinte një skamnor, plot çibana, që quhej Lazër, që dëshironte të ngihej me dromcat që binin nga tryeza e pasanikut. Madje edhe qentë vinin e ia lëpinin varrët. Vdiq skamnori, e engjëjt e çuan në prehër të Abrahamit. Vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.
Në ferr, ndër mundime të mëdha, çoi sytë e pa prej së largu Abrahamin dhe Lazrin në prehrin e tij, e bërtiti: ‘O atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazrin ta lagë majën e gishtit të vet në ujë e të ma flladisë gjuhën, se po mundohem për së tepërmi në këtë flakë.’ Abrahami i përgjigji: ‘Mos harro, o bir, se ti i gëzove të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazri të këqijat; tashti, ky këtu gëzon e ti vuan. Por, për më tepër, ndërmjet nesh e jush është një humnerë e madhe, kështu që, edhe ata që të donin të kalojnë prej këndej te ju, nuk munden, po ashtu edhe prej andej të kalojë këndej, s’mundet askush!’
Pasaniku vazhdoi: ‘Atëherë, po të lutem, o atë, çoje Lazrin në shtëpinë e tim et, se i kam pesë vëllezër e le t’i qortojë seriozisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.’ Abrahami i përgjigji: ‘Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata!’ Pasaniku i tha: ‘Jo, o atë Abraham, por nëse shkon ndokush prej të vdekurish tek ata, veç atëherë do të kthehen!’ I përgjigji: ‘Nëse, vërtet, nuk e dëgjojnë Moisiun e profetët, nuk do t’u mbushet mendja edhe nëse ndokush ngjallet prej të vdekurish’.” Fjala e Zotit.

Më shumë mbi programin kushtuar Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu.......








All the contents on this site are copyrighted ©.