2016-09-22 14:35:00

Papa: Reforma e Kuries, miratohen statutet e Sekretarisë së Mediave të Vatikanit


Me vendimin e Papës Françesku, në Sekretarinë për Komunikimet Shoqërore, do të bashkohen, në kohëra e sipas modaliteteve të caktuara e që do të caktohen, të gjitha mediat e Vatikanit dhe organizmat që janë pjesë e sistemit të komunikimit vatikanas: Këshilli Papnor për Komunikimet Shoqërore, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, Shërbimi i Internetit të Vatikanit, Radio Vatikani, Qendra e Televizionit të Vatikanit, L’Osservatore Romano, Tipografia e Vatikanit, Shërbimi Fotografik dhe Libraria Shtëpia Botuese e Vatikanit. Këtë e vendosin Statutet e Sekretarisë së Vatikanit për Komunikimet Shoqërore, miratuar nga Papa e që janë shpallur sot.

Dikasteri i ri i udhëhequr nga monsinjor Dario Edoardo Viganò “do të jetë po kështu përgjegjës edhe për web faqen institucionale të Selisë së Shenjtë dhe titullar i menaxhimit të pranisë së Papës së Romës në rrjetet shoqërore”.  

Artikulli 19 i statutit sqaron se “entitetet e lartpërmendura do të vijojnë me aktivitetet e tyre aktuale përkatëse, sipas normave të veçanta që janë në fuqi, mirëpo duke respektuar edhe udhëzimet e Prefektit, deri në datën kur të gjitha do të bashkohen në Sekretarinë e Vatikanit për Komunikimet Shoqërore, e duke u nisur nga ai moment ato do të shfuqizohen.

Sekretaria e Vatikanit për Komunikimet Shoqërore është themeluar nga Papa Françesku “për t’iu përgjigjur rrethanave aktuale komunikative, të karakterizuara nga prania dhe nga zhvillimi i mediave dixhitale, nga faktorë të konvergjencës dhe të ndërveprimtarive, prandaj edhe duhej të rimendohej sistemi informativ i Selisë së Shenjtë. Kështu shkruan Françesku në fillim të dokumentit Motu Proprio-s së tij, më 27 qershor 2015, duke shpjeguar arsyet e reformës së Kuries Romake në fushën e mediave.

Papa Françesku dëshiron që ky riorganizim, “duke vlerësuar arritjet  e deritanishme në historinë e komunikimeve vatikanase”, të vijojë në rrugën  për realizimin e integrimit dhe të drejtimit unitar. Me “Sekretarinë e re për Komunikimet, përfundon Papa, sistemi komunikativ i Selisë së Shenjtë do t’u përgjigjet gjithnjë më mirë kërkesave të misionit të Kishës në botë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.