2016-09-22 12:49:00

Papa Françesku: kotësitë janë osteoporozë për shpirtin


Shqetësimi, që vjen nga Shpirti Shenjt dhe shqetësimi, që vjen nga ndërgjegjja e papastër, kotësitë, që e gërryejnë jetën si të ishin osteoporoza e shpirtit: këto, temat e homelisë së Papës Françesku, në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës.

Dy lloj shqetësimesh

Ungjilli i ditës flet për mbretin Herod, i cili ishte në ankth, sepse pasi vrau shën Gjon Pagëzuesin, e ndjente veten të kërcënuar nga Jezusi. Shqetësohej ashtu si i ati, Herodi i Madh, pas vizitës së Mbretërve Dijetarë. “Në shpirtin tonë – sqaroi Papa – mund të kemi dy lloj shqetësimesh: ai i miri, që vjen nga Shpirti Shenjt dhe e nxit shpirtin të bëjë gjëra të mira; dhe ai i keqi, që lind nga ndërgjegjja e papastër”. Të dy Herodët e shuanin shqetësimin e tyre duke vrarë; ecnin përpara, duke shkelur mbi kufoma njerëzish:

“Këta njerëz, që kanë bërë kaq keq, që bëjnë keq dhe e kanë ndërgjegjen të papastër, nuk mund të jetojnë në paqe, sepse jetojnë sikur të kishin një urtikarie (kruarje e vazhdueshme) që nuk i lë të qetë… Këta njerëz bëjnë keq, por e keqja ka gjithnjë të njëjtën rrënjë, çdo lloj e keqe: lakminë, kotësinë dhe kreninë. Të treja nuk e lënë të qetë ndërgjegjen; të treja nuk e lënë të hyjë shqetësimin e shëndoshë të Shpirtit Shenjt, por të bëjnë të jetosh kështu: në ankth, me frikë. Lakmia, kotësia dhe krenia janë rrënjët e të gjitha të këqiave”.

Kotësia, oseoporozë e shpirtit

Leximi i parë i liturgjisë së sotme, marrë nga Libri i Kishtarit, flet për kotësitë:

“Kotësitë që na fryjnë. Kotësitë, që nuk e kanë jetën të gjatë, sepse janë si flluska sapuni. Kotësitë, që nuk na japin fitime të vërteta. Çfarë fiton njeriu për gjithë atë lodhje e shqetësim? Rend për t’u dukur, për t’u shtënë, për të ngjarë si ndokush tjetër. Këto janë kotësi. Nëse duam ta themi edhe më thjesht: kotësitë janë si grimi për jetën. E kjo e sëmur shpirtin, sepse dikush që vë pak grim mbi jetën e vet që të duket, e të gjitha gjërat i bën për sy e faqe, për kotësi, në fund të fundit, çfarë fiton? Kotësitë janë si osteoporozë për shpirtin: kockat, nga jashtë, duken të bukura, por brenda janë krejtësisht të gërryera. Kotësitë na çojnë drejt mashtrimit”.

Fytyrë shenjtori, por e vërteta është tjetër

Ashtu si mashtruesit, i bëjnë me shenjë letrat që të fitojnë, por kjo fitore është e rreme. Jetojnë për t’u dukur, theksoi Papa, jetojnë për t’u shtënë siç nuk janë. E kjo e shqetëson shpirtin. Shën Bernardi, kujtoi Ati i Shenjtë, u thotë një fjalë të mençur këtyre fodullëve: “Mendo se çfarë do të jesh. Do të jesh ushqim për krimbat. E gjithë kjo dukje në jetë është mashtrim, sepse do të të hanë krimbat e nuk do të jesh asgjë”. Po nga e merr forcën kotësia? – pyeti Papa. Nga dukja. Këta njerëz mbulojnë gjithçka:

“Sa njerëz njohim, që vetëm duken… ‘Sa njeri i mirë! Shkon në meshë çdo të diel. I bën oferta të mëdha Kishës’. Kjo është pjesa që shihet, por oesteoporoza është korrupsioni, që kanë përbrenda. Kjo është kotësia: të bën të dukesh me një fytyrë shenjtori, por e vërteta është tjetër. E ne ku e gjejmë forcën e sigurinë? E lexuam në psalm: ‘O Zot, ti ke qenë për ne strehë, nga brezi në brez’. E para Ungjillit, kujtuam fjalët e Jezusit: ‘Unë jam udha, e vërteta dhe jeta’. Kjo është e vërteta, jo fytyra e grimuar e kotësisë. Zoti na liroftë nga këto tre rrënjë të të gjitha të këqiave: lakmia, kotësia dhe krenia. Por sidomos nga kotësia, që na bën kaq keq”.








All the contents on this site are copyrighted ©.