2016-09-22 14:35:00

Papa, gazetarëve: të ndershëm e me respekt për dinjitetin njerëzor


“Ka pak profesione, që kanë kaq shumë ndikim në shoqëri, si ai i gazetarisë”. U bëri thirrje për përgjegjësi Papa Françesku rreth 400 anëtarëve të Këshillit të Urdhërit të gazetarëve italianë, që i takoi në mesditë në Vatikan. U kërkoi të kontribuojnë për t’i integruar njerëzit në shoqëri, duke respektuar dinjitetin e tyre dhe duke treguar të vërtetën e fakteve.

Dashuria për të vërtetën

E bardha dhe e zeza, dalluar mirë nga njëra-tjetra, janë ngjyra që shihen pak në artikujt gazetareskë, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke vënë në dukje se shpesh faktet tregohen përmes ngjyrimeve pa fund të grisë. Është e natyrshme, tha Papa që dëshmoi kështu se e njeh mirë profesionin e kronistit, sepse debatet politike e madje, edhe shumë konflikte, rallë janë rezultat i dinamikave shumë të qarta, në të cilat të kuptohet pa asnjë dyshim, kush ka të drejtë e kush jo. E megjithatë, ky profesion duhet të priret drejt vlerave të tij më fisnike. Edhe fluksi mediatik varet nga koha e dorëzimit të artikujve dhe ecën shpejt drejt afateve, që s’mund të mos respektohen, por është e domosdoshme, theksoi Françesku, të ndalemi për të reflektuar si e bëjmë punën. Duke filluar, nënvizoi Papa të parën nga tri shtyllat e gazetarisë që u propozoi të pranishmëve, nga dashuria për të vërtetën, sepse kush publikon lajme, në një farë mënyre, fillon të shkruajë historinë:

“Ta duash të vërtetën do të thotë jo vetëm ta pohosh atë, por ta jetosh, ta dëshmosh me punë… Këtu, nuk është çështja jemi apo s’jemi besimtarë. Çështja është a jemi apo jo të ndershëm me vetveten e me të tjerët. Marrëdhëniet janë thelbi i çdo komunikimi. Kjo është edhe më e vërtetë për ata, që e kanë komunikimin si profesion. E asnjë marrëdhënie nuk mund të mbahet e të zgjasë në kohë, nëse mbështetet mbi pandershmërinë”.

Gazetaria dhe përmasa shoqërore

Papa Françesku vuri më pas në dukje një qëndrim të dytë, të cilin e ka fort për zemër, duke i nxitur gazetarët të jetojnë me profesionalitet. Nuk është fjala, thjesht, të respektojmë rregullat e detyrimet e shkruara në Kodin deontologjik, u tha atyre, por ta bëjmë tonin, ta ndjejmë si diçka të brendshme, thelbin më të thellë të punës së gazetarit:

“Që këndej, rrjedh nevoja për të mos ia nënshtruar profesionin logjikës së interesave të njëanshme, qofshin ekonomike, qofshin politike. Detyrë e gazetarisë, do të guxoja të thosha ‘thirrja’ e saj, është ta shtrijë përmasën shoqërore të njeriut, të favorizojë ndërtimin e një qytetarie të vërtetë, përmes kujdesit dhe vëmendjes në kërkimin e së vërtetës”.

Të respektohet dinjiteti i njerëzve

Gjithçka në fjalën e Papës qe thirrje për ndërgjegjen e vetë gazetarisë, e cila në historinë e saj të gjatë, ka pasur njerëz, që kanë ditur të qëndrojnë me kokën lart. Ati i Shenjtë përmendi italianin Giancarlo Siani, kronist i ri i vrarë nga mafia 31 vjet më parë, e kujtuar sot nga presidenti i Urdhërit të gazetarëve italianë, Enzo Iacopino, i cili i dhuroi Papës një çek, që duhet të shkojë në favor të viktimave të tërmetit në Itali. Gazetaria e shëndoshë, pohoi Françesku, u shmanget thashethemeve dhe informon, duke respektuar dinjitetin e njeriut:

“Artikulli publikohet sot e, nesër, zëvendësohet nga një tjetër, por jeta e njeriut, për të cilin është shpifur padrejtësisht, mund të shkatërrohet përgjithmonë. Natyrisht, kritika është e ligjshme e do të thosha edhe më: është e nevojshme, ashtu si denoncimi i së keqes, por kjo duhet bërë gjithnjë duke e respektuar tjetrin, jetën dhe të afërmit e tij. Gazetaria nuk mund të shndërrohet në ‘armë shkatërrimi’ për njerëzit e madje, edhe për popujt. As nuk duhet të ushqejë frikën ndaj ndryshimeve, ose ndaj fenomeneve si emigracioni i detyruar nga lufta apo uria”.

Faktor për të mirën e përbashkët

“Sa bukur do të ishte sikur gazetaria të dinte të tregonte ngjarjet e shumë burrave e grave, që ditë pas dite, me dinjitet e krenari, përballojnë sëmundjet, mungesën e punës, pamundësinë për të ndërtuar të ardhmen”, tha prefekti i Sekretarisë së Komunikimit, imzot Dario Viganò, në fillim të takimit. “Pse – shtoi – të mos kultivojmë shijen për lajmet e mira, ato që nuk gjejnë kurrë vend në titujt e mëdhenj të gazetave e të televizionit, që duken sikur parapëlqejnë çdo gjë të karakterizuar nga dhuna e shtypja?”. Në të njëjtin drejtim, urimi përfundimtar i Papës Françesku:

“Uroj që gjithnjë e më shumë e kudo, gazetaria të jetë mjet ndërtimi, faktor për të mirën e përbashkët, nxitëse e proceseve të pajtimit; të dijë të refuzojë tundimin për të ndezur konflikte, me një gjuhë që i fryn zjarrit të përçarjes; përkundrazi, të favorizojë kulturën e takimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.