2016-09-22 14:03:00

Kardinali Turkson: Lufta kundër varfërisë është problem ekonomik e moral.


Për një progres të vërtetë, është i nevojshëm zhvillimi i gjithanshëm njerëzor. Kështu tha me pak fjalë kardinali Peter Turkson, President i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, në një mesazh që u lexua dje në selinë e Radio Vatikanit me rastin e paraqitjes së Raportit 2016 të Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Tregtinë e Zhvillimin (Unctad). Në vazhdën e mësimeve të Papëve të fundit, kardinali Turkson nënvizoi nevojën e një zhvilli të gjithanshëm të njeriut, si parakusht për një progres autentik.

“Zhvillimi është emri i ri i paqes”. Këto fjalë të Papës Pali VI në dokumentin Popolorum Progressio jehojnë ende sot si jashtëzakonisht aktuale. Nga viti 1964, kur qe themeluar Konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi Tregtinë e Zhvillimin, teknologjitë e reja i kanë tejkaluar kufijtë tradicional ndërmjet kombeve dhe kanë hapur zona të reja të volitshme ekonomike. Gjithsesi vlen përherë pyetja themelore se për çfarë lloj zhvillimi kemi nevojë sot. Për Papën Pali VI, zhvillimi duhet të përfshi çdo person e të gjithë njerëzit. Në mesazhin e Këshillit Papnor, kardinali Turkson kujton edhe mësimet e Gjon Palit II e të Papës Françesku.

Sipas Papës Bergoglio çështja e zhvillimi vlen jo vetëm për sot por edhe për të gjitha gjeneratat e ardhshme. Prandaj, kujton kardinali në mesazh, “nuk mund të flitet për zhvillimin, pa një solidaritet ndërmjet gjeneratave, do të thotë atë që falas kemi marrë, falas edhe duhet ua transmetojmë brezave të ardhshëm.

Në Raportin e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Tregtinë e Zhvillimin 2016, flitet edhe për shndërrimet strukturore, për të ndihmuar rritjen e një zhvillimi të gjithanshëm, për t’i rishqyrtuar politikat ekonomike e për të gjetur udhë të reja e të përshtatshme në dobinë e të gjithëve. Për këtë, është qendror përforcimi i normave në fushën financiare, rritja e politikave industriale, garancia e pagave dhe kapërcimi i krizës ekonomike. Përballë kontekstit global të amullisë ekonomike aktuale, duhen zgjidhje ambicioze, përmes një dialogu të përhershëm ndërmjet qeverive, firmave e integrimit.

Lufta kundër varfërisë nuk është vetëm problem ekonomik, por edhe, e sidomos, problem moral. Aq e vërtetë është kjo, sa e gjithë bashkësia ndërkombëtare është e thirrur të gjejë përgjigjet politike, shoqërore dhe ekonomike për zgjidhjen e krizës së refugjatëve.

Angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare, i institucioneve, i botës së punës për progresin ekonomik duhet t’i shërbejë së mirës së përbashkët,  gjithëpërfshirjes dhe zhvillimit të gjithanshëm, përmes sigurimit të punës dhe investimit në burimet njerëzore.

“Kisha – pohon Papa Françesku – është e thirrur në gjithë qenien dhe veprimin e saj të nxisë zhvillimin e gjithanshëm të njeriut në dritën e Ungjillit. Ky zhvillim duhet të vihen në jetë përmes kujdesit për tjetrit, për pasuritë dhe pamasat e drejtësisë, të paqes, të mbrojtjes së Krijimit e të një zhvillimi që synon të mirën e njeriut e të mbarë familjes njerëzore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.