2016-09-21 15:55:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: Ku fillon dashuria?


Shfletojmë edhe sot librin “Njoha një shenjtore” të kardinalit Angelo Comastri, i cili e përfundon me një sërë mendimesh të Nënë Terezës, shenjtes shqiptare të bamirësisë e të dashurisë.

Në vitin 1976 – tregon Nënë Tereza – me ftesë të ish-presidentit të Meksikës, përuruam qendrën e parë në periferinë e kryeqytetit federal.

Të gjitha zonat përreth, që vizitonin motrat tona, ishin jashtëzakonisht të varfëra. Kërkesat e njerëzve i habitën jo pak motrat. Njerëzit nuk kërkonin as veshje, as ilaçe, as ushqim. Kufizoheshin me: “Motra, na flisni për Zotin”. Kështu sillen të varfërit!

                             ***

Heshtja na ndihmon të lutemi më mirë. Heshtja na jep mundësinë të lutemi më shumë. Heshtja, kur gjuha pushon, na ndihmon shumë të flasim me Krishtin. Na mëson të jemi të gëzuar në çastet e pushimeve të shkurtra, kur kemi më tepër gjëra për të treguar.

                              ***

Për mua, rrënjët e të gjitha të këqiave, që na vrerosin, qëndrojnë në mungesën e lutjes.

                            ***

Mënyra më e rëndësishme dhe më e frytshme për ta ripërtërirë shoqërinë është lutja.

                           ***

Jezusi dëshiron të mos lutemi të ndarë nga të tjerët, sepse bëjmë pjesë në Korpin Mistik të Krishtit, që është përherë në lutje.

                          ***

Duhet të shkojmë për t’i takuar njerëzit. Të takohemi me të largëtit e, edhe me të afërmit. Me ata, që janë të varfër materialisht, por edhe me ata, që janë të varfër shpirtërisht.

                          ***

Çasti i vdekjes nuk duhet të na trishtojë. Duhet të na trishtojë vetëm kur e dimë se nuk jemi shenjt.

                          ***

Ku fillon dashuria?

Në shtëpitë tona.

Kur fillon?

Kur lutemi së bashku.

Familja që lutet së bashku, mbetet së bashku.

                            ***

Dashuria fillon kur merremi me ata, që kemi më afër: anëtarët e vetë familjes sonë. Ta pyesim veten a e dimë nëse burri, gruaja, fëmijët, prindërit tanë, e ndjenë veten vërtet të dashur kur jetojnë me ne. A jemi të vetëdijshëm për këtë? Ku janë sot të moshuarit? Nëpër azile pleqsh (kur i kemi këto azile). Pse? Sepse nuk i duam, sepse na bezdisin, sepse… jemi egoistë!








All the contents on this site are copyrighted ©.