2016-09-21 14:10:00

Imzot Massafra: vizita e Papës në Shqipëri, bekim i Zotit për të gjithë


Sot më 21 shtator kujtojmë 2 vjetorin e vizitës së Papës Françesku në Shqipëri. Shtegtimi apostolik në kryeqytetin e Shqipërisë, në vendin e parë të Evropës që vizitohej nga Papa Françesku, qe një bekim e një përqafim me mbarë popullin shqiptare. Nga autoritetet me të larta shtetërore e civile, deri te kryetarët dhe përfaqësuesit e besimeve fetare të vendit, nga të varfrit e deri personat me aftësi të kufizuara, pra për të gjithë, vërtetë, ishte një përqafim atëror e një bekim Hyjnor.

Është pak të thuash se vizita e Papës Françesku në Shqipëri ishte historike, mbi gjithçka, qe një mesazh e një vlerësimi i jashtëzakonshëm, që pakkush nga personalitetet botërore i ka bërë Shqipërisë, kishës shqiptare, kombit shqiptarë, gjatë historisë së tij. Përzgjedhja e Shqipërisë, pa dyshim që kishte simbolikë shumë të fortë, por ishte e lidhur edhe me mesazhet e jashtëzakonshme, të shenjta që Papa Françesku drejtoi nga Shqipëria, nga Sheshi Nënë Tereza, para portreteve të martirëve të diktaturës ateiste, nga Tirana për të gjithë kontinentin e vjetër,  për botën e qytetëruar e për mbarë njerizimin.

Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri pati mesazhe të jashtëzakonshme, mesazhe vlerësimi pa dyshim, por mbi të gjitha shprese dhe besimi. Besimi tek Zoti, besimi e respekti tek njëri tjetri, besimi tek e mira. Ati i Shenjtë Bergoglio çmoi lartë martirizimin që pësoi  Kisha, martirizimin që pësoi populli, por vlerësoi edhe virtytet më fisnike të shqiptarëve, ato që Shqipëria i ka trashëguar brez pas brezi, duke i vendosur në vëmendjen e mbarë botës.

Në takimin me klerin shqiptar Papa Françesku u përlotë, sepse, diç do të thoshte më pas në bisedë me gazetarë gjatë kthimit në Romë, “të dëgjosh një martir që flet për persekutimin e vet, është tronditëse! Besoj se të gjithë ne që ishin aty, jemi prekur dhe emocionuar: të gjithë. E ata dëshmitarë flisnin thua se po flitej për dikë tjetër, natyrshëm, me përvujtëri. Mua më ka bërë mirë, kjo!”

Po për një vlerësim të atij shtegtimi papnor në Tiranë, i cili qe vërtetë domethënës, prekës e do të thosha kuptimplotë, në mikrofonin e Radio Vatikanit ta dëgjojmë kryeipeshkvin e Shkodër-Pultit e Presidentin e Konferencës Ipeshkëvnore katolike të Shqipërisë, imzot Angelo Massafrën...








All the contents on this site are copyrighted ©.