2016-09-20 12:12:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: qëmtime nga mendimet e shenjtes


Vijojmë rubrikën kushtuar Nënë Terezës me disa mendime të saj, të cilat kardinali Angelo Comastri i vë në dukje në kapitullin e fundit të librit të tij “Njoha një shenjtore”. E gjithë bota, sot, të jep përshtypjen se ecën shpejt – thotë Nënë Tereza. Duket sikur askush nuk ka kohë për të tjerët: bijtë për prindërit, prindërit për bijtë, bashkëshortët për njëri-tjetrin. E kështu, të gjithë janë të pakënaqur. Paqja botërore fillon të dështojë brenda secilës prej vatrave familjare.

***

Nganjëherë, duhet t’i bëjmë vetes disa pyetje për t’i orientuar më mirë veprimet tona. Duhet të bëjmë pyetje si kjo: a i njoh të varfërit? Pikë së pari, a i njoh të varfërit e familjes sime? Të varfërit e vatrës sime familjare, ata që jetojnë më afër meje: njerëz, që ndoshta, janë të varfër jo për mungesë buke. Ka forma të tjera varfërie, edhe më të dhimbshme, sepse më intime.

Ndoshta, gruas ose burrit tim i mungon diçka, e kështu edhe fëmijëve, prindërve, por nuk është fjala as për veshje, as për ushqim.

Ka mundësi që s’kanë dashuri, sepse unë ua mohoj.

Ka shumë mundësi të takoni njerëz, edhe shumë pranë jush, që kanë nevojë për dashurinë e për praninë tuaj.

Mos ua mohoni.

Dëshmojuni se i konsideroni sinqerisht qenie njerëzore, që janë të rëndësishme për ju. Kush janë këta njerëz? Janë vetë Jezusi.

Jezusi fshihet nën pamjen e vuajtjes.

***

Kohë më parë, ndërsa isha në Nju Jork, njëri nga të sëmurët tanë me Sidë, çoi e më thirri.

Kur u ndodha pranë shtratit të tij, më tha: “Ju jeni mikja ime, dua t’ju them diçka në mirëbesim. Kur dhimbja e kokës bëhet e padurueshme (supozoj se e dini cilat janë simptomat e Sidës, njëra është dhimbja e fortë e kokës), e krahasoj me vuajten, që iu desh të durojë Jezusit, për shkak të kurorës me gjemba. Kur dhimbja zhvendoset mbi shpatulla, e krahasoj me atë, që iu desh të durojë Jezusit, kur ushtarët i binin me kamzhik. Kur ndjej dhimbje në duar, e krahasoj me dhimbjen e Jezusit kur u kryqëzua”.

Mos më thoni se kjo nuk është dëshmia e madhështisë së dashurisë së një të riu, viktimë e sëmundjes së Sidës.

Ju siguroj se ishte i vetëdijshëm se nuk ekzistonin kura dhe e dinte se i mbetej pak kohë për të jetuar. Por kishte një guxim të jashtëzakonshëm. E gjente në dashurinë e tij për Jezusin, duke ndarë Mundimet e tij. Nuk kishte asnjë shenjë trishtimi, as ankthi, në fytyrën e tij. Përkundrazi, ravijëzohej në të një paqe e madhe dhe një gëzim i thellë i brendshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.