2016-09-20 01:30:00

Papa mbyll Takimin e Asizit: “Vetëm paqja është e shenjtë e jo lufta”


“Nuk lodhemi së përsërituri se kurrë emri i Zotit nuk mund ta justifikojë dhunën. Vetëm paqja është e shenjtë e jo lufta”. I zjarrtë, Papa Françesku, ndërsa mbajti fjalën, që mbylli punimet e Takimit ndërfetar në Asizi, në praninë e përfaqësuesve të feve botërore, para se të gjithë së bashku të nënshkruanin Thirrjen përfundimtare për Paqe, dorëzuar simbolikisht në duart e fëmijëve nga kombe të ndryshme.

Paqe është emri i Zotit

Nëse “paqe” është emri i Zotit, Ati i Shenjtë përcaktoi qartë cilat janë emrat e paqes. “Paqja - nënvizoi para liderëve të globit – është një fill shprese, që lidh tokën me qiellin, një fjalë kaq e thjeshtë dhe kaq e vështirë njëkohësisht. Paqe do të thotë ‘Falje’, e cila, fryt i kthimit të zemrave dhe i lutjes, lind nga brenda e, në emër të Zotit, bën të mundur shërimin e plagëve të së kaluarës. Paqe do të thotë ‘Mikpritje’, gatishmëri për dialog, kapërcim i mbylljes në vetvete, që nuk është strategji sigurie, por urë mbi boshllëk. Paqe do të thotë ‘Bashkëpunim’, shkëmbim i gjallë e konkret me tjetrin, i cili është dhuratë e jo problem, një vëlla me të cilin provojmë të ndërtojmë një botë më të mirë. Paqe do të thotë ‘Edukim’: thirrje për të mësuar çdo ditë artin e vështirë të bashkimit, për të përvetësuar kulturën e takimit, duke e pastruar ndërgjegjen nga çdo tundim dhune e ngurtësimi, i kundërt me emrin e Zotit e me dinjitetin e njeriut”.

Paqja është dhuratë e Zotit, nënvizoi Papa, duke cituar edhe shën Gjon Palin II. Ne nuk kemi armë. Besojmë në forcën e butë e të përvujtë të lutjes. Për këtë arsye, fetë u mblodhën në Asizi, jo thjesht për të protestuar kundër luftës, por për të kërkuar Zotin, burimin e bashkimit ndërmjet njerëzve, ujin e kristaltë të paqes, që nuk mund të rrjedhë nga shkretëtirat e kryelartësisë dhe të interesave të njëanshme, nga tokat e thara të fitimit me çdo kusht e nga tregtia e armëve, tha qartë Papa Françesku.

Të mos jemi indiferentë

Të mos jemi indiferentë, ngriti zërin kreu i katolikëve të botës, sepse indiferenca është sëmundje e kohëve tona, është virus, që paralizon, na bën të pandjeshëm, sulmon thelbin e çdo feje, duke sjellë një paganizëm të trishtë: paganizmin e indiferencës. “Lum veprimtarët e paqes”, thotë Ungjilli. Prandaj, theksoi me forcë Papa Françesku, të krishterët nuk mund të rrinë indiferentë.

Ati i Shenjtë Bergolio kujtoi vizitën tek refugjatët në ishullin e Lesbos, së bashku me Patriarkun Bartolomeu I, por edhe familjet e shkatërruara, fëmijët-viktima të dhunës, të moshuarit, që detyrohen të braktisin shtëpinë, të gjithë të vuajturit, që s’kanë zë e s’i dëgjon kush. Edhe më mirë se të pushtetshmit e kësaj bote, ata e dinë se s’ka të nesërme në luftë e se dhuna e armëve e shkatërron gëzimin e jetës.

Lutja dhe vullneti për të bashkëpunuar na impenjojnë për një paqe të vërtetë

E pavarësisht nga ndryshimet, përfaqësuesit e feve janë mbledhur në Asizi për t’u lutur pikërisht që t’i jepet fund luftës e viktimave të saj, sepse asnjë fe nuk kërkon luftën, por të gjitha duan paqen. “Lutja e bashkëpunimi konkret – tha Papa – ndihmojnë të mos mbetemi të ngërthyer në logjikën e konfliktit… Lutja dhe vullneti për të bashkëpunuar na impenjojnë për një paqe të vërtetë… jo për qetësinë e atyre, që u ikin vështirësive dhe kthehen nga ana tjetër…jo për cinizmin e atyre, që i lajnë duart nga problemet e të tjerëve; jo nga qasja virtuale e atyre, të cilët gjykojnë gjithçka e të gjithë nga tastiera e një kompiuteri, pa i hapur sytë para nevojave të vëllezërve”. Udha jonë, përfundoi Papa Françesku, është t’i japim vendin e parë të vuajturve, t’i shërojmë konfliktet nga brenda, të gjejmë rrugë të së mirës, duke refuzuar të keqen, të ndërmarrim me durim, me ndihmën e Zotit e me vullnet të mirë, procese paqeje.

Besojmë dhe shpresojmë në një botë vëllazërore

“Ne këtu, së bashku e në paqe, - qenë fjalët e fundit të Atit të Shenjtë – besojmë dhe shpresojmë në një botë vëllazërore. Dëshirojmë që burrat e gratë e feve të ndryshme, të mblidhen kudo e të krijojnë mirëkuptim, sidomos ku ka konflikte. E ardhmja jonë është të jetojmë së bashku. Për këtë, jemi të thirrur të çlirohemi nga pesha e rëndë e mosbesimit, e fundamentalizmit dhe e urretjes. Besimtarët të jenë ‘zejtarë të paqes’ si kur i luten Zotit, ashtu edhe kur veprojnë për njeriun! E ne, si krerë të feve, duhet të jemi ura të qëndrueshme dialogu, ndërmjetës krijues të paqes. U drejtohemi edhe atyre, që kanë përgjegjësinë më të madhe në shërbim të popujve, liderëve të kombeve, që të mos lodhen së kërkuari e së promovuari rrugë paqeje, duke parë përtej interesave të njëanshme e të çastit: të mos mbetet e padëgjuar thirrja e Zotit për çdo ndërgjegje, britma për paqe e të varfërve dhe shpresa për të ardhmen e brezave të rinj. Këtu, 30 vjet më parë, Shën Gjon Pali II tha: ‘Paqja është kantier i hapur për të gjithë, jo vetëm për specialistët, dijetarët e strategët. Paqja është përgjegjësi universale’ (Fjala, Sheshi i Poshtëm i Bazilikës së Shën Françeskut, 27 tetor 1986: l.c., 1269). Ta bëjmë tonën këtë përgjegjësi, të ripohojmë sot ‘po’-në tonë për të qenë, së bashku, ndërtues të paqes së dashur nga Zoti, për të cilën ka etje njerëzimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.