2016-09-20 11:11:00

Papa: lufta është turp, në Asizi lusim “Zotin e paqes”


Në gjunjë për të lutur Zotin e paqes së bashku, “përtej ndarjeve të feve”, deri sa të ndjehet “turpi” për luftrat e pa “i mbyllur veshët” para britmës së dhimbjes së atyre, që vuajnë. Fryma me të cilën Papa Françesku u nis sot për në Asizi, në Takimin ndërfetar për paqen, u shpjegua nga vetë Ati i Shenjtë në homelinë e meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan.

         “Nuk ekziston ndonjë Zot i luftës”, theksoi Papa. Lufta, çnjerëzorja e një bombe që shpërthen, duke ia prerë rrugën ndihmave humanitare për fëmijët, të moshuarit e të sëmurët, është vepër e “të keqit”. Prandaj, është e nevojshme të lutemi, edhe të derdhim lot për paqen, të gjitha fetë e bashkuara me bindjen se “Zoti është Hyji i paqes”.

Mos t’i mbyllim veshët

         Dita e madhe e Asizit, 30 vjet pas shën Gjon Palit II, fillon që nga kapela e Shën Martës. “Sot, - vërejti Papa – burra e gra të të gjitha feve do të shkojmë në Asizi. Jo për ndodnjë shfaqje: thjesht për t’u lutur e lutur për paqen”. E kudo, sipas një letre që vetë Ati i Shenjtë u ka dërguar gjithë ipeshkvijve të botës, organizohen sot takime, në të cilat ftohen katolikët, të krishterët e tjerë, besimtarët e çdo lloji dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë të çdo feje, të luten për paqen. Por sot, bota është në luftë e vuan, tha Papa Françesku:

         “Sot, Leximi i Parë përfundon kështu: ‘Kush i mbyll veshët në klithmën e skamnorit, edhe ai do të thërrasë, por nuk do të dëgjohet’. Nëse ne, sot, i mbyllim veshët para britmës së këtyre njerëzve, që vuajnë nën bomba, që vuajnë nga shfrytëzimi i trafikantëve të armëve, ka mundësi që kur të na vijë radha, nuk do të marrim përgjigje. Nuk mund t’i mbyllim veshët para klithmës së dhimbjes së këtyre vëllezërve e motrave tona, që vuajnë, për shkak të luftës”.

Lufta fillon nga zemra

         Ne nuk e shohim luftën, vuri në dukje Papa Françesku. Frikësohemi për ndonjë akt terrorizmi, por kjo është asgjë në krahasim me ç’ndodh në ato vende, në ato troje, ku ditë e natë, bombat bien pa pushim e vrasin fëmijë, të moshuar, burra e gra. “A mos është larg lufta?”, pyeti Ati i Shenjtë. “Jo! Është shumë afër”, sepse “lufta prek të gjithë”, “lufta fillon nga zemra”:

         “Zoti na dhashtë paqen e zemrave, na zhduktë çdo prirje për lakmi, babëzi, luftë. Jo! Paqe, paqe! Zemra jonë qoftë zemër burri e gruaje të paqes. E përtej ndarjeve të feve, të gjithë, të gjithë, të gjithë! Sepse të gjithë jemi bij të Zotit. E Zoti është Hyji i paqes. Nuk ekziston një zot lufte: ai që bën luftë është i keqi, djalli, që dëshiron t’i vrasë të gjithë”.

Ta ndjejmë turpin

         Para kësaj nuk mund të ketë ndarje ndërmjet feve, theksoi sërish Françesku. Nuk mjafton të falenderojmë Hyjin, sepse, ndoshta, lufta nuk na prek personalisht. Ta falenderojmë, por të mendojmë edhe për të tjerët:

         “Të mendojmë sot jo vetëm për bombat, për të vdekurit, për të plagosurit, por edhe për njerëzit – fëmijë e të moshuar – të cilëve nuk mund t’iu arrijë asnjë ndihmë humanitare, as për të ngrënë. Nuk mund t’u arrijnë ilaçet. Janë të uritur, të sëmurë! Sepse bombat e pengojnë këtë gjë. E ndërsa ne sot lutemi, do të ishte mirë, që secili prej nesh të ndjente turp. Turp, sepse njerëzit, vëllezërit tanë, janë në gjendje ta bëjnë këtë punë. Sot, ditë lutjeje, pendese, vajtimi për paqen; ditë për ta dëgjuar britmën e të varfërit. Atë britmë, që na e hap zemrën ndaj mëshirës, dashurisë e, na shpëton nga egoizmi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.