2016-09-20 17:04:00

Kisha ja besoi Fjalën e Zotit Zef Markut, seminaristit të dioqezës së Sapës


Seminaristit të dioqezës së Sapës, Zef Markut, në udhën e formimit drejt meshtarisë, Kisha ja besoi Fjalën e Zotit, që ta studiojë, ta meditojë  e shpallë sa më shumë çdo ditë, dhe pas pak vitesh ta ushtrojë si meshtar me popullin e Zotit Fjalën e jetës.

Po kujtojmë se në Katekizmin e Kishës Katolike shkruhet: “Urdhri meshtarak është sakrament, falë të cilit, misioni i besuar nga Krishti Apostujve të vet vazhdon të ushtrohet në Kishë deri në fundin e kohërave: prandaj, është sakramenti i shërbimit apostolik…”. Në Kishën latine, lista e plotë e dy urdhrave, atij meshtarak dhe atij ipeshkëvnor, përmendet për herë të parë në letrën e Papës Kornelio (251-253) për ipeshkvin Fabio të Antiokisë. Para Koncilit II të Vatikanit, Urdhri i Shenjtë ndahej në dy kategori: urdhrat e mëdhenj (episkopati, presbiteriati, diakonati dhe nëndiakonati) dhe urdhrat e vegjël (akolitati, ekzorcistati, lektorati, hostiariati). Këta të fundit nuk ishin sakramente.

Pas Koncilit II të Vatikanit, urdhrat e vegjël u reduktuan e nuk quhen më urdhra, por shërbime(ministere), si ai i lektoratit dhe i akolitatit. Përsa u përket urdhrave të mëdhenj, teologjia katolike nuk flet për to në numrin shumës, por dallon tri nivele të të njëjtit Sakrament të Urdhrit të Shenjtë: Diakonati, Presbiterati e Episkopati.  Po t’i kthehemi Lektoratit që ka marrë seminarsit Zef Marku e të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit.

Nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit..

LEKTORATI I ZEF MARKUT

Bashkësia famullitare e Shën Kollit në Vau-Dejës, e mbledhur së bashku në ditën e Zotit, në kremtimin e meshës së të dieles së XXV gjatë vitit, në Katedralen Shën Tereza e Kalkutës, gëzoi edhe për ceremoninë e marrjes së ministerit të Lektoratit të birit të kësaj famullie, seminaristit të Dioqezës së Sapës, Zef Marku.

“Do të kishte qenë bukur që sot mes nesh, të ishte bariu i Dioqezës i ndjeri Imzot Lucjani, për këtë shërbesë liturgjike, por jemi të sigurtë që Ai nga qielli gëzon dhe lutet me ne sot për hapat e parë të Zefit drejtë meshtarisë. Kështu e filloi fjalën e rastit dom Simon Kulli, Administrator Dioqezan e njëkohësisht famullitari i Katedrales. E ndërsa shtoi: jam sot me ju si Administrator dioqezan për t’i dhënë ministerin e Lektoratit, seminaristit të dioqezes sonë Zefit që ju e njihni mirë të gjithë.

Në ecjen e tij drejtë meshtarisë sot Kisha ja beson Fjalën e Zotit që ta studiojë dhe ta meditojë sa më shumë çdo ditë, dhe pas pak vitesh ta ushtrojë si meshtar me popullin e Zotit Fjalën e jetës. Le të jetë Fjala e Zotit dhe liturgjia e kësaj të diele që të na shëndrisë mendjen që ta vëmë në jetë sa më mirë këtë pasuri të madhe që ne kemi, dhe këtë moment që po jetojmë. I dashur Zef do të pyes ty dhe në një menyrë sejcilin që është sot i pranishëm në këtë meshë : a nuk është kështu që Zoti është shfaqur në jetën tonë? Mendoj se çdo ditë e më shumë Ai është mes nesh e na ndihmon të realizojmë thirrjen tonë. Jezusi na kërkon që të degjohet.  Dhe me degju do të thotë me ju bindur gjithçka që Ai na thotë. Ky është sekreti që ti Zef i dashur, duhet që ta jetosh dhe t’iu transmetosh të tjerëve në rrugën tënde”- përfundoi d. Simoni.

E kështu të gjithë së bashku iu lutën Hyjit Atë, që ta bekojë këtë të zgjedhur për shërbesën e leximeve, e në përmbushjen me besnikëri të shërbesës së tij ai të shpallin Krishtin dhe ti japin lavdi Atit që është në qiell.

Zef Marku lindi në Vau-Dejës, me 17.10.1992 nga prindërit Frrok e Leze Marku. Studimet elementare dhe të mesme  i kreu në vendlindje. Hyri në Seminar me 5 tetor të vitit 2011, ku prej 5 viteve vazhdon studimet e larta filozofike teologjike i vazhdon pranë Seminarit Ndërdioqezan në Shkodër. 








All the contents on this site are copyrighted ©.